DYLON

Ankohet Hyseni për procesin zgjedhor të AKK-së për zgjedhjen e Kryetarit dhe Kryesisë së re

Ankohet Hyseni për procesin zgjedhor të AKK-së për zgjedhjen e Kryetarit dhe Kryesisë së re
Avatar photo Redaksia

“Sot, procesi zgjedhor i Asociacionit të Komunave të Kosovës për zgjedhjen e Kryetarit dhe Kryesisë së re, është përcjellë me parregullsi të theksuara që cenojnë rëndë legjitimitetin e këtij institucioni. Në vend të një procesi transparent dhe demokratik, pamë një koordinim të ngushtë partiak (PDK-LDK-AAK) për të diktuar mekanizmat e funksionimit përmes shkeljeve statutare”, ka thënë, në një reagim të tij, Alban Hyseni, kryetar i Komunës së Gjilanit, transmeton 2LONLINE.

Sipas tij, ndonëse Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK qeverisin me numër të barabartë komunash (nga 7), përmes manovrimeve me nënkriteret u krijua një pabarazi artificiale, duke favorizuar subjekte të caktuara dhe duke anashkaluar vullnetin e qytetarëve që ne përfaqësojmë.

EkoHigjiena

Hyseni vlerëson se në Kuvend morën pjesë anëtarë të deleguar arbitrarisht, e jo të zgjedhur nga Kuvendet Komunale siç e kërkon ligji dhe rregulloret në fuqi.

“Kjo e bën çdo vendim të marrë sot juridikisht të kontestueshëm. Për më tepër, gjatë këtij procesi pati përpjekje të qarta që Kryetari të kontrabandohet nga një subjekt i tretë, përmes manovrave procedurale dhe marrëveshjeve të parapërcaktuara, duke anashkaluar çdo standard të garës së hapur dhe të ndershme”, ka thënë tutje Hyseni, transmeton 2LONLINE.

Sipas të parit të Komunës së Gjilanit, ndryshimet në rregullore dhe në bordin drejtues u bënë pa respektuar procedurat e parapara, duke e kthyer AKK-në në një mjet për interesa të ngushta partiake, në vend se të jetë zëri i të gjitha komunave pa dallim.

Hyseni tha se Asociacioni duhet t’u takojë komunave dhe qytetarëve, jo kalkulimeve të zyrave politike. Sipas tij, parimi i përfaqësimit duhet të pasqyrojë fuqinë politike në teren; rrjedhimisht, LVV dhe LDK duhet të kenë peshën që u takon në udhëheqje dhe në Bord.

“Nuk mund të pranojmë një proces që bazohet në shkelje dhe përjashtim. Do të ndjekim të gjitha rrugët zyrtare për të kontestuar këtë proces dhe për të kthyer ligjshmërinë në këtë institucion”, ka thënë në  reagimin e tij, Alban Hyseni, kryetar i Komunës së Gjilanit.  /2LONLINE/