Ankohen në zhurmë dhe bllokim të rrugëve madje për këtë i bëjnë përgjegjës edhe institucionet komunale.
Sadullah Behluli, qytetar nga lagjja Dardania në Gjilan, ka shprehur revoltën e tij ndaj institucioneve komunale, që nuk po ndërmarrin hapa për të mos lejuar zhurmën e tepruar në orët e natës nga kafeteritë por edhe nga organizimet e ndryshme, duke përfshirë edhe ato me leje nga komuna.
Ai tha se edhe mbrëmë, përveç zhurmës së tepruar që është bërë e padurueshme për banorët e lagjes, madje torturuese, ka pasur një organizim muzikor, për të cilën janë bllokuar edhe rrugët, njëri nga udhëkryqet në lagjen Dardania.
Ai ka kërkuar nga institucionet të ndërmarrin masa sa nuk ka shpërthyer reagimi qytetarë i kësaj lagjeje, e provokuar pikërisht prej institucioneve, lagje kjo që edhe ashtu po ka telashe tjera, duke përfshirë këtu edhe mungesën e ujit.
Behluli thotë se kjo pjesë është vendbanim e nuk është ndonjë sallë teatri a sallë e koncerteve, andaj edhe muzika me zë të lartë në orët e natës është e padurueshme dhe e pakuptueshme..