DYLON

Andin Hoti: Ministria do të adresojë sfidat e veteranëve, invalidëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve

Andin Hoti: Ministria do të adresojë sfidat e veteranëve, invalidëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve
Avatar photo Redaksia

Ministri në detyrë i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të organizatave të dala nga lufta në Gjilan, ku u diskutua për sfidat, nevojat dhe pritjet e veteranëve, invalidëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve.

Në takim morën pjesë kryetari i OVL-UÇK-së, Dega në Gjilan, Xhevdet Mehmeti, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Dega në Gjilan, Rashit Ymeri, si dhe përfaqësuesi i Shoqatës së Invalidëve të Luftës, Selver Kqiku.

EkoHigjiena

Hoti tha se krijimi i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare përbën një hap të rëndësishëm institucional në trajtimin e çështjeve që prekin kategoritë e dala nga lufta.

“Për herë të parë është krijuar Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare. Kjo ministri do të adresojë sfidat me të cilat këto kategori janë përballur ndër vite dhe do të punojë për avancimin e të drejtave, mirëqenies dhe dinjitetit të tyre”, deklaroi Hoti, transmeton 2LONLINE.

Ai theksoi se veteranët, invalidët e luftës dhe familjet e dëshmorëve kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës, duke shtuar se përkujdesja ndaj tyre mbetet përgjegjësi e institucioneve shtetërore.

Sipas tij, Lufta Çlirimtare e Kosovës mbetet themeli i lirisë së vendit, ndërsa mbështetja për të gjitha kategoritë e dala nga lufta është një obligim institucional dhe detyrim moral i shtetit.

Në përfundim të takimit, ministri në detyrë u nderua nga kryetari i OVL-UÇK-së në Gjilan, Xhevdet Mehmeti, i cili i dhuroi Hyjneshën në Fron, simbol të qytetërimit dhe identitetit të lashtë të Kosovës, si dhe Flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, simbol të sakrificës, qëndresës dhe lirisë.  /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.