DYLON

ANAMOUR organizon edicionin e radhës të Festivalit të Teatrit të Shkollave të Mesme

ANAMOUR organizon edicionin e radhës të Festivalit të Teatrit të Shkollave të Mesme
Redaksia

Festivali i Teatrit të Shkollave të Mesme – Edicioni V

Komunikatë për media nga ANAMOUR: 29 nëntor dhe 1 dhjetor 2026, Teatri i Qytetit, Gjilan.
Data : 29 nëntor dhe 1 dhjetor 2026, nga ora 18:00
Vendi : Teatri i Qytetit, Gjilan

EkoHigjiena

Komunat pjesëmarrëse Gjilani, Kamenica, Presheva dhe Bujanoci
Drejtori i festivalit Ernest Zymberi
Organizator ANAMOUR – Organizata Kulturore
Përkrahja Komuna e Gjilanit

Organizata kulturore ANAMOUR organizon edicionin e radhës të Festivalit të Teatrit të Shkollave të Mesme, i cili do të mbahet më 29 nëntor dhe 1 dhjetor 2026, në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, me fillim nga ora 18:00.

Festivali këtë vit bashkon të rinj nga katër komuna: Gjilani, Kamenica, Presheva dhe Bujanoci, duke e kthyer teatrin në një hapësirë të përbashkët të kreativitetit, komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet të rinjve nga të dy anët e kufirit.

Projekti organizohet nga ANAMOUR dhe përkrahet nga Komuna e Gjilanit.

Programi artistik

Drejtori i festivalit, Ernest Zymberi, bën të ditur se ky edicion ka shënuar interesim të madh nga shkollat dhe të rinjtë pjesëmarrës. Ai thekson se programi artistik i këtij viti sjell kryevepra të dramaturgjisë botërore, të përshtatura dhe aktualizuara për ndjeshmërinë, shqetësimet dhe realitetin e gjeneratës së sotme të shkollave të mesme.

Në mesin e veprave që do të prezantohen janë “Pigmalioni”, “Zgjimi i Pranverës”, “Kopraci” dhe të tjera, përmes të cilave publiku do të ketë mundësi të shohë një ndërthurje të zhanreve të ndryshme artistike, nga drama dhe komedia deri te horror-i. Këto vepra klasike vijnë përmes interpretimeve të të rinjve, duke marrë kuptime të reja dhe duke krijuar një dialog mes dramaturgjisë botërore dhe realitetit të tyre.

Risitë e këtij edicioni

Risi në këtë edicion janë dy çmime të reja: “Aktorja më e mirë e festivalit” dhe “Aktori më i mirë i festivalit”, të cilat synojnë të vlerësojnë talentin, përkushtimin dhe punën individuale të nxënësve në skenë.

ANAMOUR këtë vit sjell edhe një tjetër hap të rëndësishëm në zhvillimin dhe dokumentimin e festivalit: nisjen e botimit të Revistës së Festivalit të Teatrit të Shkollave të Mesme. Revista do të shërbejë si një platformë dokumentuese dhe promovuese, ku do të përfshihen historiku i festivalit, koncepti i tij, aktivitetet, realizimet artistike, dëshmi dhe informacione që pasqyrojnë rrugëtimin dhe ndikimin e tij ndër vite.

Qëllimi i festivalit

Përmes këtij festivali, ANAMOUR synon të krijojë hapësira të reja për afirmimin e të rinjve, zhvillimin e talentit artistik dhe fuqizimin e lidhjeve kulturore ndërmjet komunave pjesëmarrëse. Sepse teatri nuk është vetëm skenë dhe interpretim, por edhe një gjuhë që afron njerëzit, kapërcen kufijtë dhe krijon ura komunikimi.

Ftojmë mediat që ta përcjellin këtë ngjarje kulturore dhe të kontribuojnë në promovimin e krijimtarisë artistike të të rinjve. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.