Anamorava hambar i votave (për regjionet tjera) të partive politike

/ose, padijeni e të menduarit politikisht për t’u vënë në shërbim të të tjerëve/

/2L ONLINE/ – Duke filluar që nga organizimi i zgjedhjeve të para të lira në nivel shteti, në Anamoravë është bërë vjelja e votave nga kandidatët për Deputet që vinin nga regjionet tjera të Kosovës. Dhe atë, nga argat të brendshëm anamoravas, Gjilani, Vitia dhe Dardana (Kamenica). Veprim ky, i gabueshëm dhe joracional në rrafshin e interesit regjional politik, duke menduar se;Kandidatët për Deputet që vijnë nga larg (jashtë regjionit tonë) duhet të jenë më të mirë, më të dijshëm e më të vendosur se këta tanët që i njohim e i shohim çdo ditë!!!

Do të thotë, të besosh më shumë në atë që nuk e njeh fare?! Ose, të mashtruar nga ndonjë premtim i rrejshëm për punësim (që nuk besoj t’ua kenë realizuar asnjëherë). Ose, për më keq, për inat të këtyre që i shoh për çdo ditë dhe ‘’ua preki dorën’’ dua të votoj për ata që nuk i njoh, sepse, ‘’janë më serioz’’, (sepse, kur nuk ua kam prek dorën dhe kurrë nuk kam folur me ata).

Dhe kështu, vit pas viti e zgjedhje pas zgjedhjesh e deri në zgjedhjet e fundit, votat e Anamoravës fluturuan gjithandej Kosovës por, jo, nuk mbetën në vendin e duhur, në Gjilan, Viti e Dardanë (Kamenicë)!

Nga e gjithë kjo, fitimtarë na dalin kandidatët për Deputet që vijnë nga zonat e tjera të Kosovës. Fitimtarë me vota të Anamoravës por, jo në shërbim të votuesve të vet anamoravas, (që i mashtruan me premtime të kota).
Përkundrazi, kanë harruar Anamoravën që e kishin si hambar të votave dhe anamoravasit që i kishin argatë për vjeljen e votave në Anamoravë. Pa u skuqur fare, u lëshuan në ofensivë në shërbim të regjioneve të tyre duke ndërtuar infrastrukturën rrugore si të ishte në ndonjë shtet tjetër e jo pjesë Kosove.

Aktualisht, tri komunat e Anamoravës janë më të lënat padore në raport me gjitha komunat e tjera të Kosovës, duke filluar nga Infrastruktura rrugore, mirëqenia sociale, sigurimi shëndetësorë, punësimi në organe të larta ekzekutive etj. Krejt kjo, si rezultat i mos përfaqësimit të mjaftueshëm në Kuvend dhe në Qeveri.

Kjo që e thash më lartë, nuk përbën esencën e votuesve veçse të njërës nga partitë por, përbënë esencën e gjitha partive që funksionojnë në Anamoravë duke votuar kandidatët jashtë regjional.
Votuesit e PDK-së, votojnë kandidatët që vijnë nga Drenica e Dukagjini!
Votuesit e LDK-së, votojnë kandidatët që vijnë nga Llapi e nga Rugova!
Votuesit e VV-së, kushtimisht po them, votojnë kandidatët që vijnë nga Qendra!

Pra, cila është e drejta e qytetarëve të anamoravës që të kërkojnë më shumë zhvillim ekonomik të Anamoravës dhe ndikim më të madh në Kuvend e në Qeveri nga deputetët e paktë që kemi si regjion në Kuvendin e Kosovës?! /2L ONLINE/

/autori është anëtar i Kryesisë së PDK-së, Dega në Gjilan/

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE