DYLON

Anamorava e Gjilani të pasura me trashëgimi kulturore

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Në një debat të organizuar nga Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” me temën “Rinia dhe kujdesi ndaj trashëgimisë kulturore në Anamoravë”, Lutfi Haziri ka thënë se Gjilani dhe Anamorava janë regjione të pasura me vlera të trashëgimisë. “Punoni për Gjilanin dhe të kaluarën e tij shumë të pasur e krenare, ne do ju mbështesim”, ka thënë Haziri para të rinjve gjilanas.

Të rinjtë gjilanas, studentë të shumtë kanë marrë pjesë në debatin e organizuar nga Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” për të debatuar e bashkëbiseduar rreth trashëgimisë kulturore dhe rolit të rinisë në këtë fushë, derisa në cilësinë e panelistëve Lutfi Haziri, Rexhep Kadriu, Xhevat Bajrami, Bujar Haziri, Artan Hoxha, Nazmi Muji është folur për pasurinë e pashtershme që ka regjioni i Gjilanit.

EkoHigjiena

kryetari i Komunës Lutfi Haziri tha se Gjilani duhet të ndihet krenar sepse ka vlera të pashtershme në fushën e trashëgimisë. Ai tha se trashëgimia garanton vlerat njerëzore dhe realisht për këto vlera duhet të kujdesemi të gjithë dhe jo vetëm institucionet derisa e ka vlerësuar hap shumë domethënës inkuadrimin e Kosovës në UNESCO. “Roli i të rinjve në këtë aspekt është shumë i madh”.

Haziri tha se Gjilani ka pika frekuentuese në këtë segment duke nisur nga Kalaja e Pograxhës, Kalaja e Artanës dhe janë monumentet e objektet tjera që rinia duhet t`i njoh dhe t`i vizitojë.

Sipas Hazirit trashëgimia e Gjilanit është dëmtuar në kohën kur është rindërtuar ky qytet. “Ne e kemi Sahat Kullën si pjesë të memories së Gjilanit dhe tani e kemi listën e objekteve të ruajtura apo mbrojtura që janë edhe pjesë e UNESCOS, por që me kohë ato do të verifikohen dhe identifikohen. Edhe muzeu i qytetit është fytyra e Gjilanit, pastaj atik xhamia, Tuma e Llashticës e shumë vende tjera të rëndësishme”.

Haziri në fund ka kërkuar nga të rinjtë që të punojnë për ta njohur më mirë dhe më shumë qytetin e Gjilanit. “Punoni për të ardhmen e Gjilanit dhe punoni për të ndriçuar të kaluarën e lashtë e krenare të Gjilanit. Unë do ju mbështes në këtë fushë qoftë me punime, projekte, dokumentar e zhvillime tjera që lidhen me trashëgimin”.

Kurse Rexhep Kadriu tha se Gjilani tashmë ka planifikuar listën e objekteve të trashëgimisë dhe realisht Gjilani është lidere në këtë fushë.

Xhevat Bajrami nga Ministria e kulturës tha se rinia ka nevojë të jetë më e informuar duke lexuar dhe duke u edukuar.

Bujar Haziri nga sektori i kulturës ka treguar për përvojat e mira që kanë vendet e rajonit duke përfshirë edhe Shqipërinë.”Fusha e trashëgimisë është shumë pak e prekur dhe e trajtuar për këtë arsye edhe tek të rinjtë mungojnë njohurit bazike. Ne ende nuk po e njohim vendin tonë, qytetin ton dhe për këtë arsye duhet të shpeshtohen vizitat studimore në Shqipëri, por jo ekskursione apo ndeja”.

Bujar Haziri ka kërkuar nga të rinjtë që të studiojnë në fushat e arkeologjisë, etnologjisë sepse si regjion ka mungesë të madhe të këtyre kuadrove.

Edhe Artan Hoxha nga qendra e trashëgimisë kulturore në Gjilan tha se janë rreth 65 objekte në Gjilan që janë pjesë e trashëgimisë së mbrojtur.

Sabit Rrustemi tha se komuna edhe ministritë duhet të investojnë më shume në restaurimin dhe rregullimin e objekteve ekzistuese që kanë vlera të lashtësisë.”Nuk mund të thërrasim vizitorë e mos të kemi ku t`i dërgojmë ata. Së pari duhet të rregullohet infrastruktura sepse shumë kulla e objekte të trashëgimisë janë të pa rregulluara dhe të jo mirëmbajtura si duhet” tha Rrustemi.

Në debat ka folur edhe Demir Krasniqi i cili kërkojë një kujdes më të madh për figurat kolosale që ka Gjilani, siç është Mulla Idriz Gjilani.

Ndërkaq,Gazmend Azizi, Mehmet Zylfiu, Arjeta Vata, Driton Mehmeti, Deniza Limani, Sadulla Ahmeti etj, kanë shprehur interesimin e tyre që Gjilani të krijojë një informator për nevojat e vizitorëve. /2L ONLINE/