Analisti nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave (ICG), Naim Rashiti, ka kërkuar nga opozita që problemet që ka vendi duhet të tentojë t’i zgjidhë në Kuvendin e Kosovës, e jo në rrugë.
Në një intervistë për “Epokën e re”, Rashiti i ka numëruar disa nga shkaqet e protestës së dhunshme, e cila ishte organizuar të martën nga partitë opozitare.
Ai ka vlerësuar se kjo protestë ka ndodhur edhe si pasojë e bllokadës politike gjashtëmujore.
“Rasti i Jabllanoviqit dhe ‘Trepçës’ vetëm mbushin gotën. Protesta ndodhi edhe si rezultat i gabimeve të qeverisë në marrjen e masave për ta shpjeguar çështjen e ‘Trepçës’ dhe veprimeve ndaj një ministri, por edhe dëshira e Lëvizjes Vetëvendosje! së Albin Kurtit për ta kapitalizuar situatën rreth këtyre dy çështjeve dhe mllefin e qytetarëve”, ka deklaruar Rashiti, duke shtuar se Vetëvendosja! do të dëmtohet nëse organizon protesta të dhunshme.
“Lëvizja Vetëvendosje! dëshiron të fitojë poenë politikë dhe përkrahës nëpërmjet këtyre protestave, përkrahje të cilën do ta humbet nëse organizon protesta të dhunshme”, është shprehur Rashiti.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë gjithçka që mos t’u japë arsye qytetarëve të dalin në rrugë. Rashiti ka thënë se pozita dhe opozita duhet të thërrasin për dialog.
“Edhe Qeveria e Kosovës edhe opozita duhet të thërrasin për dialog. Qeveria ka përgjegjësinë më të madhe dhe duhet të bëjë gjithçka që mos t’u japë qytetarëve arsye për të dalë në rrugë”, ka deklaruar Rashiti.
Ai ka thënë se 2015-a do të jetë vit i vështirësive për vendin.
Sipas tij, Qeveria Mustafa brenda këtij viti duhet ta kalojë ligjin për “Trepçën”. “Qeveria ta kalojë ligjin për ‘Trepçën’ këtë vit apo edhe më herët dhe të konsultohet në tërësi me opozitën”, ka thënë Rashiti.
http://epokaere.com/index.aspx?SID=13&PMID=2&LID=2&ACatID=1&AID=58271&Ctype=1