Analistët e televizioneve, të partive politike dhe bisedimet Kosovë-Serbi

Analistët e televizioneve, të partive politike dhe bisedimet Kosovë-Serbi

Analistët e shitur te partitë e caktuara, sipas detyrës, deklarojnë se pa partinë e caktuar dhe pa filan politikanin, nuk mund të ketë marrëveshje Kosovë – Serbi!

Shkruan: Arsim KASTRATI       –       2LONLINE.com 

Analistë të papjekur flasin me bindje të pa angazhuar kognitive se shqiptarët duhet rrefuzuar administratën e Trampit, sepse ai nuk na qenka në rregull dhe do t’i humbas zgjedhjet presidenciale amerikane!

Pyetje milion dollarësh është pyetja se kush i fiton zgjedhjet presidenciale të nëntorit në SHBA.

Më tutje deklarojnë se kompromiset kosovare që janë bërë gjatë të gjitha bisedimeve me Serbinë, janë bërë për shkak të gabimeve të palës kosovare në bisedime dhe për shkak të mindset-it (botëkuptimit) inferior kosovar ndaj fuqisë ushtarake dhe politike të Serbisë.

Inferioriteti i kosovarëve karshi Serbisë është thyer në fund të viteve 90-ta të shekullit të kaluar dhe ate e ka prishë definitivisht kryengritja çlirimtare në Kosovë.

Një gjë mendoj se duhet patur parasysh: deri sa Serbia të ketë marrëdhënie të mira me Rusinë, BE-ja dhe SHBA-të nuk mund të bëjnë presion të fuqishëm ndaj saj. Ndërsa nëse Serbia i prishë raportet me Rusinë, atëherë gjërat do të ndryshonin radikalisht dhe asaj do t’i duhej që ti plotësonte kërkesat e SHBA-ve dhe BE-së, nëse do të dëshironte të anëtarësohej në BE dhe në strukturat tjera euroatlantike.

BE-ja dhe SHBA-të e duan zgjidhjen e mosmarrëveshjeve serbo-kosovare, por ato e duan edhe afrimin e Serbisë me BE-në, SHBA-të dhe NATO-n, dhe deri sa Serbia të jetë e lidhur me Rusinë, ato do të jenë të kujdesshme ndaj saj dhe do të kërkojnë koherencë politike nga Republika e Kosovës lidhur me agjendën e tyre gjeopolitike në Ballkan.

Kjo nuk do të thotë që Republika e Kosovës duhet të pranoj gjithçka dhe të bëjë çfarëdo kompromisi. Kjo kërkon kujdes maksimal politik, konsensus gjithëpërfshirës nacional dhe gjykim të drejtë mbi zhvillimet gjeopolitike rajonale dhe botërore!

Kjo nuk do thotë që pozicioni negociator i Kosovës, me patjetër do të vazhdojë të mbetet dukshëm më i dobët në raport me Serbinë. Që Kosova të faktorizohet më shumë në këtë proces, do të duhej që forcat e saj politike të bashkohen fort për çështjen e bisedimeve dhe gjithashtu të koordinohen edhe me Shqipërinë e ta kenë përkrahjen e saj maksimale, sepse të bashkuar politikisht shqiptarët janë faktor i patejkalueshëm në Ballkan, kurse të pakoordinuar dhe të shpërndarë politikisht, janë shumë më të dobët se sa që mund dhe do të duhej të ishin.

Koordinimi me Shqipërinë dhe përkrahja adekuate nga ana e saj, krahas unitetit të brendshëm kosovar si dhe kujdesit në marrëdhëniet me fuqitë botërore vendim marrëse, e faktorizon Republikën e Kosovës karshi këtij dhe proceseve tjera të rëndësishme të politikës rajonale dhe ndërkombëtare.

Këtyre ditëve në Kosovë, kërkohet seriozitet politik maksimal ndaj bisedimeve me Serbinë.

Ora mund të ketë shkuar vonë, e gabimet shtrenjtë mund të na kushtojnë!/2LONLINE.com/

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE