Analistë apo dështakë!
Shkruan: Arta DAUTI
/2L ONLINE/ – Liria e fjalës është e garantuar me ligj mirëpo kjo liri i ka rregullat edhe dispozitat e saj. Shumë persona përfitojnë nga kjo e drejtë elementare njerëzore duke u shprehur për të arritur një qëllim të caktuar apo për të dhënë një mendim lidhur me qëllimin në favor apo në disfavor të çështjes. Në Kosovë njohësit e çështjes, apo analistët në fjalë janë bërë aq të shumtë sa që çdo lagje ka nga dy e më tepër te tillë.
Mirëpo çështja qëndron se tek ne kemi analistë të fushës së përgjithshme të cilët çfarëdo që t’i ndodhë vendit, ata janë të gatshëm të bëjnë analizën e problemit duke dhënë mendimet pa pasur parasysh pasojat që mund të ketë shoqëria nga një deklaratë e tillë.
Në shumë raste politike dhe ekonomike disa persona të vetëshpallur analistë duke dashur që të jenë më të zëshëm e më të ditur se shokët e tyre, i kanë fryrë zjarrit duke e zmadhuar e duke e hiperbolizuar çështjen, dhe prapë në fund analiza e tij nuk ka dalë ashtu siç kanë parashikuar. Ende nuk kam parë dhe dëgjuar asnjë rast të vetëm të cilin një analist pas analizës së dështuar të ketë dalë në opinion dhe te kërkoj një të falur për analizën e tij të gabuar. Ju të nderuar po harroni se ajo deklaratë e juaja po përcillet nga qytetarët e këtij vendi dhe po ua mbushni kokën atyre me fjalë boshe të pavërteta .
Nga dështimi deri në tallje
Në muajin tetor të vitit te kaluar diplomati gjerman Ambasadori Ernst Reichel, Përfaqësuesi Special i Kancelares Merkel për Ballkan, u tall me analistët kosovar, të cilët secili në mënyrën e vet doli me konkluzione për dialogun Kosovë-Serbi. Nuk pash asnjë analist që doli dhe e mbrojti atë që thanë më herët, mirëpo me heshtje aprovuan atë që deklaroi diplomati gjerman, se analiza në Kosovë është në shkallën më të ulët të mundshme.
Në Kosovë analistët mbajnë qëndrimet e tyre në bazë të partisë së cilës i takojnë, apo janë militant të tyre, po duke mos anashkaluar rastin edhe bashkepartiak të të njëjtës parti politike. Kur një lider nga cila do parti bën një deklaratë që merr dhenë, del një analist nga partia e tij dhe e mbron atë, në anën tjetër disa të tjerë nga blloku opozitar për të mbushur kokat e popullit që ai gaboi vërshohen si lumë dhe thonë edhe miliona fjalë të tjera duke i dhënë kuptim nga ajo çfarë ata dëshirojnë të japin pa gjykuar drejt.
Kurse në popullatë të cilët jemi vetëm spektatorë para ekraneve televizive kërkojmë me telekomandë në dorë nëpër kanalet tona te politizuara duke dashur ta kuptojmë se kush e patë mirë e kush e pati keq. Në kohën e zgjedhjeve dalin një numër i madh analistësh, të cilët japin prognozat e tyre për partinë e mundshme fituese, për koalicione para e pas zgjedhore, për rrjedhën e proceseve zgjedhore e shumë e shumë gjëra të tjera, të cilat nuk janë në dorën e tyre.
Mirëpo çka ndodhë pastaj, pastaj liderët e partive fituese vendosin se me cilën parti po u bjenë më mirë me u lidhë në koalicion, si shembulli LDK-PDK dhe fjalët e analistëve i merr uji. Kemi shumë raste para zgjedhjeve te fundit ku analistët deklaronin se nuk mund të ndodh edhe njëherë që këto dy parti të krijojnë një koalicion të përbashkët, mirëpo ja që ndodhi, dhe fjalët e tyre mbeten vetëm një hiq. Do të doja të dija se si e ndien veten këta persona kur bëjnë një analizë me kaq domethënie dhe në fund del diçka krejtësisht tjetër,apo ndoshta do ta quajnë vetëm një fjalim rasti….sa keq.
Analiza profesionale
I nderuar Analist, për të analizuar një situatë duhet te kesh aftësi profesionale lidhur me çështjen apo gjendjen së cilës i kërkohet analiza. Nëse ti din të analizosh një lojë futbolli kjo nuk te jep të drejtën që të analizosh gjendjen politike edhe ekonomike ne vend. Mirëpo për fat të keq në Kosovë keni gjetur një hapësirë të mjaftueshme sa për të bërë analiza për lloj- lloj çështje të cilave nuk ju dini as vlerën e lëre më gjenezën e tyre.
Ju të nderuar duhet të jeni më të kujdesshëm në deklaratat e juaja lidhur me çfarëdo çështje pasi që po mbështjellkeni nën emblemën e një emri mjaft te madh , mirëpo fatkeqësisht tek ne është bërë si një lojë fëmijësh.
Duhet pasur parasysh atë që po deklaroni pasi që një pjesë mjaft e madhe e popullsisë bëjnë debat me fjalët e deklaratat e juaja. Ju si njohës të mirë nuk keni nevojë që të akuzoni askënd apo të mbani anime politike, mirëpo duhet te flisni me gjuhën e argumenteve.
Ju çështjes së analizës i keni dhënë një kahje krejtësisht tjetër nga ajo çka është në vendet tjera të rajonit dhe më gjerë. E keni bërë këtë punë si disa falltor që rrotullojnë falle të cilëve në kohën e sodit s’ju beson askush por disa shkojnë vetëm sa për të hequr merakun, sepse e dinë se falltorja s’do të ja qëllojë asgjëkund. E vetmja gjë pozitive tek ju është që ju s’po kërkoni para nga popullata për deklarata e juaja, apo ndoshta kjo gjë nuk ju ka vajtur ndër mend ! Unë si një qytetare e Kosovës do të ju lutesha që mos të bëni këso lloj analizash, të cilat nuk janë në profesionin dhe laminë e juaj përkatëse, pasi që po i shkaktoni një dëm të madh kësaj shoqërie dhe këtij vendi me deklaratat e juaja jo profesionale dhe të pabaza. /2L ONLINE/
