(2L ONLINE) – Ndoshta janë faktorët e ndryshëm dhe të shumtë shkaku i një mos konsolidimi të duhur drejt një shoqërie demokratike normale në përmasa jashtë ideologjike, pas një imponimi afër pesëdhjetëvjeçarë, ,duke vënë theksin posaçërisht në faktorin historik dhe ngjarjet represive sistematike të përjetuara, që ndikuan drejtëpërsëdrejt në shoqërinë kosovare. Ndoshta edhe koha e shkurtë pas monizmit. Nuk mundë të thuhet se kjo është ndonjë fenomen. Gjithsesi se jo. Kjo është një dukuri e cila besnikërisht manifestohet edhe në shoqëritë tjera ballkanase, evropiane, por edhe në përmasa botërore.
Shkruan: Sami HALITI
Për të sqaruar se çka unë nënkuptoj me nocionin shoqëri normale demokratike, fillimisht më duhet të e pasqyroj një situatë të projektuar në shoqëri të ndryshme. Nuk e bëj për të i thurur himne as elozhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ashtu siç bëhet me të madhe dhe në mënyrë jo edhe aq të ndershme nga shumë pjesëtarë të shoqërisë kosovare, duke përfshire një spektër të gjerë profesionesh (apo zanatesh ad hoc), ku theksin e mbajnë analistët e gjithanshëm me pedigre nga sektori i Organizatave Joqeveritare (por fitimprurëse në Kosovë gjithsesi). E di se një shoqëri demokratike e ka të pa mundur ekzistencën, bile edhe kuptimin e të qenit e tillë pa shoqërinë civile, por rasti i shoqërisë kosovare statistikisht dhe përmbajtësisht e flet të kundërtën. Sikur sektori i shoqërisë civile pretendon të bëhet më i fortë se vet shteti, gjë e cila lehtas lexohet në pretendimet implicite të protagonistëve të këtij sektori i cili ka marrë karakteristikat e një estrade.
Le te kaloj në temë. Le ta kujtojmë 11 Shatorin dhe aktin më spektakolarë të terrorizmit, të realizuar në këtë shekull. Dëmet e mëdha materiale, jetët e shumta të humbura, dhe ajo çka është me e keqja, terrorizimin e një planeti të tërë, të njerëzve paqësorë që natyrshëm një vepër të tillë e përjetojnë si të tillë. Pra si terrorizëm. E kemi të qartë se pas çdo aksioni ka një reaksion. Natyrshëm do të duhej të kishte valë të tëra protestash, dhe hakmarrjesh të përmasave nacionale edhe shtetërore ndaj komunitetit nga i cili ishte personi apo grupi i cili bëri aktin e tillë. Në këtë rast, në kontekst të SHBA-ve, ky ishte komuniteti mysliman, pra personat me përkatësi fetare islame që dominohen nga personat me prejardhje arabe-aziatike dhe afrikane, por edhe nga shtetet dhe kombet tjera. Por ndodhi diçka unike dhe e mirë. Pos rasteve sporadike dhe individuale të shprehjes së urrejtjes dhe agresivitetit ndaj komuniteteve myslimane të shpërndara anembanë SHBA-ve, në një sistem social prej më shumë së 280 milionësh banorësh, ndodh diçka e cila mundë të quhet Fenomen. Dukuri assesi së paku jo deri më tani. Pra ndodhi mrekullia. Them ndodhi mrekullia pasi që në asnjë vend të botës, në asnjë shtet, në asnjë shoqëri, nuk pres se do të kishte ndodhur, as statistikisht dhe as përmbajësisht ky fenomen, duke përjashtuar vendet anglosaksone si Britania e Madhe, Kanada, Australia dhe Zelanda e Re. Nuk pati as fushatë shtetërore, as lëvizje sociale, e as kampe përqendrimi, as bombardime, as marrje pasaportash dhe nënshtetësish, ndaj komunitetit islam. Përkundrazi.Me sa di unë, kohëve të fundit edhe në Shtëpinë e Bardhë, shtrohet Iftari.Pas këtij konstatimi, sigurisht se është e udhës që të jap interpretimin tim pse ndodh kjo, përndryshe më duhet të e fus vetën në një thes me ata që i bëjmë himne falso SHBA-ve, e që unë konsideroj se në Kosovë janë të shumtë.
Ja interpretimi i im.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë derivat i migrimeve të njerëzve të guximshëm dhe liridashës, fillimisht shtresa e mesme e Anglisë Veriore të cilët nuk ishin të gatshëm t` i nënshtrohen as Mbretit e as Religjionit. Ata morën udhë për në Tokën e Re për të jetuar të lirë, ndërsa liria si e tillë duhej të ishte e pakufizuar dhe për të gjithë. Sepse njerëzit ishin divers dhe modusi i vetëm ishte gjithë përfshirja. Racizmi ndaj njerëzve me ngjyrë dhe qasja agresive dhe me shumë gabime ndaj fiseve indiane ishte inercion kolonial, i cili pati jetë shumë të gjatë, por qysh në fillim ishte i destinuar të dështoj. Republikanizmi nuk kishte si ta justifikonte skllavërinë. Kushdo që e ka lexuar “Mbi demokracinë në Amrikë” nga Tokvillin (Tocqueville) dhe “Letrat e Federalistit”nga Hamilton,Madison, Jay, e ka të qartë këtë. Sigurisht se historia e SHBA-ve nuk është rrugë e qumështit dhe e mjaltit. Ajo ngërthen shumë dhunë në vete, por gjithsesi se ajo paraqet rrëfimin më të suksesshëm ku liria e njeriut, gjeti domenin e saj më të plotë. Dhe kodi i këtij zhvillimi qëndron në idetë individualiste, libertariane, dhe demokratike të etërve të shtetit dhe shoqërisë amerikane. Kur them etërve, nuk mendoj vetëm në prijësit shtetërorë, por para së gjithash mendoj në idetë racionaliste të cilat, krijuan kodin e një shoqërie e cila do të i kishte së paku dy veçori te cilat do të jenë përcaktuese për modelimin e saj demokratik dhe racionalistik, e ato janë;
1.Republikanizmi, pra SHBA kurrë nuk do të jetë mbretër,pra eliminimi i mbretërisë;
2.Sekularizmi, SHBA do të jetë shtet i cili mirëfilli është i ndarë nga religjioni, megjithëse i liria fetare i garantohej çdo qytetari amerikan.
Sigurisht se jo të vetmet, por dy tiparet e mësipërme janë determinanta shumë të rëndësishme në të kuptuarit e SHBA-ve dhe shoqërisë Amerikane. Pa pretenduar të arrihet idealja, SHBA është shoqëri mirëfilli e diferencuar, e cila funksionon mbi bazat e një sekularizmi përmbajtsorë dhe të mirëfilltë, sekularizëm i cili nuk e shenjtëron vetveten duke marrë tipare religjioze. Një sekularizëm i cili nuk e satanizon religjionin (asnjërën fe veç e veç) as nuk favorizon ndonjërin prej komuniteteve fetare në çfarëdo mënyrë në dëm të tjetrit . Sekularizëm i cili zhvillohet nga zhvillime permanente të cilat rezultojnë në rritjen e domenit të lirisë njerëzore. Një sekularizm i cili rrënjët e veta i ka në filozofinë empiriste dhe pragmatiste e cila rezulton në një racionalizëm konceptual dhe me këtë edhe racionalizim të shoqërisë, gjë e cila në manifestimet konkrete, reale, karakterizohet po ashtu me veprime strukturore racionale. Tek e fundit, reagimi aq i matur i një shoqërie 280 milionëshe në 11 Shtatorë këtu e ka bazën.
Sigurisht se ky është ai momenti të cilin duhet të e kapin të gjitha shoqëritë, por edhe shtetet, nëse duan apo pretendojnë të jenë sekulare e me këtë edhe racionale. Jo shoqëri sekulare si zgjidhje ideale, por shoqëri sekulare si zgjidhje racionale dhe tokësore. Si rezultante e diveristetit social Andaj, konsideroj se edhe shoqëria Kosovare, e më këtë edhe individët e saj që qartas si shumicë janë shqiptarë, më shumë se forcën ushtarake të SHBA-ve, të e njohin dhe e pranojnë modelin racional të ndërtimit të një shoqërie sekulare, demokratike. Nuk mundë të mos e parafrazoj njërin nga analistët e paktë kosovar cilësorë të arealit kulturor analitik të problematikës sociale cili tha me të drejtë se në këtë drejtim shoqëria kosovare ka deficite të mëdha. Sepse në fakt përmbajtja mentale (mentaliteti) i një shumice dërmuese të individëve të shoqërisë kosovarë në fakt është diktatorial dhe despotik. Për më keq, kjo tmerrësisht keq manifestohet të ajo shtresë e njerëzve të cilët e konsiderojnë veten intelektual, dhe ekspozohen se janë partizan të demokracisë. Ky soj njerëzish, eventualisht po të kishin forcën (pasi që tmerrësisht janë të pasionuar pas ushtrisë amerikane e jo bazave civile të këtij shteti, pra parimeve demokratike) lehtas do ndërtonin kampe përqendrimi për ata që i konsiderojnë jashtë linjës së tyre.
Për fund!
S` do mend se shkas i këtij shkrimi se ishte një akt i shëmtuar i prerjes së kokës së njeriut nga një banorë i viseve tona dhe reagimet tribaleske që lidhen me të, ngjarje që aktualizua këto ditë nga mjetet e informacionit. S`ka asgjë të keqe që mjetet e informacionit e bëjnë diçka këtillë. Tek e fundit ato lajmin kanë produkt kryesor. Por e keqja e kësaj është fushata, teatrale,paternaliste, moraiste, në fakt mentalisht represive bile tribaliste e një dyzine intelektualësh (të shkollës se Kumrovcit) por edhe të tjerëve më të rinj të cilët pavetëdijshëm kanë inercion të theksuar monist bile edhe idealist, të cilët morën rolin që askush nuk e kërkonte nga ta. Marrjen e përgjegjësisë në emër të kombit shqiptarë, apo të shtetit të Kosovës për një akt barbar i cili nuk ka as komb e as fe. Ai thjesht është i pa pranueshëm nga natyra njerëzore. Duke qene se SHBA është shtet dhe shoqëri me përmasa kolosale krahasuar me Kosoven, e njëjta i ka shumë më të njohura këto situata, dhe e njëjta di shumë më mirë se ne, si të i trajtoj ato. Jo vetëm nga përmasa kuantitative (numri) por posaçërisht nga ato kualitative, ku do të duhej të vinte në shprehje morali pozitiv ne favor të jetës, shoqëria Kosovare, sidomos intelektualët, po e dëshmojnë veten tyre represiv dhe totalitarë. Kjo do të vazhdoj të jetë kështu për aq kohë përderisa nuk identifikohemi me së paku dy parimet bazë të shoqërisë amerikane. Republikanizmin dhe Sekularizmin. As njëra dhe as tjetra kategori nuk e kanë gjetur ende trollin e duhur në Kosovë. Në vend të Republikanizmit te ne tendencë dominimi ka bajraktarizmi dhe lokalizmi tribal ndërsa në vend të sekularizmit racionalist kemi favoritizmin religjioz latent. Nuk mjafton vetëm identifikimi dhe madhërimi i forcës ushtarake amerikane, por kjo para së gjithash duhet të ngjaj me parimet bazë të kësaj shoqërie ,përmes internalizmit të tyre. /2L ONLINE/