Amerikanët janë në lojë, shpejt do ta kemi finalen

Amerikanët janë në lojë, shpejt do ta kemi finalen

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në fazën e fundit. Kjo mund të duket e paimagjinueshme të ndodh për shkak të qëndrimeve të palëve që nuk japin sinjale se një marrëveshje e mundshme mund të ndodh shpejtë, por e vërteta është se kjo po ndodh.

Shkruan: Ardian Azemi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mbajmë mend të ketë kërkuar në fillim të mandatit të tij përfshirjen e ShBA-ve në dialog, sepse Kosova dhe populli i saj ka besim të plotë tek amerikanët, sepse të tillë janë dëshmuar tani e shumë dekada në raport me shqiptarët në përgjithësi.

Kosova në dialog nuk është trajtuar e barabartë, dhe kësisoj edhe është diskriminuar në shumë procese nga Bashkimi Evropian, dhe është përballë me një agresivitet të vazhdueshëm nga Serbia, ani pse marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel ndërmjet palëve e thonë të kundërtën e asaj që kemi parë në praktikë.

Serbia nuk e ka përfillë asnjë marrëveshje të Brukselit, dhe asnjë reagim nga BE-ja nuk e kemi kundër kësaj politike me mendësi të vjetër.

Kosova nga të qenit viktimë, gjithherë ka dëshmuar gatishmëri të ulet në tavolina, madje pa i vënë asnjë kusht dialogut. Kjo gatishmëri e Kosovës është keqpërdor edhe nga Serbia, por më shumë nga BE-ja, sepse nga Serbia ishte e pritshme diçka e tillë.

Taksa prej 100% e vendosur ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, është veprim i imponuar nga Serbia. Taksa prej 100% është më e pakta që Kosova ka mundur ta vendos. Reciprociteti i plotë do të ishte përgjigjja e duhur për Serbinë, madje jo saktësisht sa duhet.

Presioni evropianë mbi institucionet e Kosovës për heqjen e taksës, e dëshmoi për të satën herë diskriminimin ndaj Kosovës përderisa vazhduan të jenë ledhatues ndaj Serbisë, pavarësisht veprimeve idioteske te saj ndaj Kosovës. Presioni nuk bëri punë sepse Kosova ishte në të drejtën e saj, në mbrojtjen e sovranitetit dhe autoritetit shtetëror.

Letra e presidentit amerikan, Donald Trump, shënon fillimin e etapës së fundit të dialogut dhe paralajmëron një marrëveshje mes dy vendeve shumë shpejtë. Nënshkrimi i presidentit amerikan në këtë letër, është treguesi më i qartë dhe paralajmërimi i parë dhe i fundit se ShBA-të janë në lojë.

Deshën ose jo palët në dialog, Kosova, Serbia dhe BE-ja, amerikanët janë në lojë dhe jo vetëm kaq. Tanimë dihet botërisht se Shtëpia e Bardhë është vendi ku do të vihen nënshkrimet për mbylljen e kësaj teme.

Mos të harrojmë, në këtë lojë bënë pjesë edhe Rusia, porse mendoj unë, rusët kanë interesa në Lindjen e Mesme dhe ka shumë mundësi që amerikanët të lëshojnë diçka atje në mënyrë që ruset të mos jenë aq të vëmendshëm për Ballkanin Perëndimor, respektivisht për marrëveshjen Kosovë – Serbi.

As Presidenti e askush tjetër nuk guxon ta provokoj heqjen e taksës ndaj produkteve nga Serbia dhe BH-ja, në rrethana aktuale. Taksa mund te hiqet edhe para marrëveshjes, madje edhe para se Serbia ta njoh Kosovën shtet të pavarur vetëm nëse amerikanët garantojnë se; me marrëveshje Serbia do ta njoh 17 shkurtin e 2008-së, se Serbia do ti identifikoj varrezat masive dhe të dimë për fatin e mijëra shqiptarëve që figurojnë të zhdukur, që nuk mund të ketë shkëmbim territoresh, korrigjim kufijsh, apo ndarje etnike në Kosovë, që Serbia nuk do ta pengoj Kosovën për tu anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, që Serbia do ti respektoj të gjitha marrëveshjet e arritura, dhe që vizat do të hiqen para zgjedhjeve në BE, si dhe të hapen kapituj për anëtarësim.

Përderisa nuk kemi një garancë nga amerikanët për diçka të tillë, është e pakuptimtë të flitet për zmbrapsje të Kosovës nga vendimet e saj.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE