Ambicia politike dhe koherenca politike

Ambicia politike dhe koherenca politike

Aktualisht të gjithë po e ndjejmë se një nga faktorët kryesorë që e pengon Kosovën të gjejë stabilitetin politik dhe të ecë përpara është paaftësia jonë për tu marrë vesh me njëri tjetrin ose, kur arrijmë këtë marrveshje, paaftësia për ta respektuar atë.

Liridon Rama

Pse ndodh kjo në realitetin e përditshëm politik të vendit tonë?

Përgjigja është e thjeshtë; interesi imediat dhe personal ka sunduar mbi atë final pasi, së pari, shtysa e imediatit ka qenë shumë e fortë dhe, së dyti, pasi nuk kanë aftësi për ta sunduar pasionin imediat dhe për të ndriçuar interesin final.

Historikisht fenomeni që ka dëmtuar Kosovën më shumë se çdo gjë tjetër është pikërisht fakti se ambiciet politike dhe interesat e ngushta imediate të klaneve i kanë shtyrë politikanët tanë të mos jenë koherentë në politikë e tyre dhe të mos i integrojnë interesat e tyre në interesa mbarë kombëtare, çka i ka sjellë dhe po i sjell vazhdimisht vendit tonë pamundësi për stabilitet dhe progres.

Kosova vazhdon të vuan nga një mentalitet patriarkal dhe një mungesë e theksuar e kulturës demokratike, e ideve te ndryshme politike e filozofike. Kjo bën që njerzit t’i shohin gjërat të thjeshtëzuara në bardhë e zi, çka politikisht mund të transkriptohet në trajtën e totalitarizmit “kush nuk është me ne, është kundër nesh”.

Qytetarët e këtij vendi tek politikanët kosovar po gjejnë më shumë kultivues të urrejtës dhe armiqësisë, e që kjo lirisht mund të konceptohet si një cilësi tjetër e totalitarizmit, e cila nuk njeh kundërshtar politik, por vetëm armiq politikë.

Eshtë e qartë se demokracia që kemi fituar është një demokraci ende në hapat e saj të parë, për te mos e quajtur demokraci primitive, por lufta për pushtet nuk duhet të na bëjë të devijojmë nga e vërteta që në rastin konkret është e mira e përgjithshme e kosovarëve.

Shoqëria jonë ka nevojë të shoh që tendenca në rritje e uzurpimit të pushtetit nga të paaftit dhe kriminelet të zhduket, dhe që më në fund të kultivohet një kulturë korrekte politike ku fituesi dhe humbësi dinë përgjegjësit e tyre.

Sapiens est consilio mutare (është i ditur ai që ndryshon mendimin) thonë Latinët.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE