Ambasadorja e Izraelit viziton Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit
Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit ka mirëpritur sot Ambasadoren e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, Tamar Ziv, në një vizitë që u fokusua në mundësitë e bashkëpunimit dhe përmirësimin e kushteve për pacientët, veçanërisht për fëmijët e shtruar në spital.
Ambasadorja Ziv u prit nga drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Dr. Afrim Cana, i cili e falënderoi për vizitën dhe interesimin e treguar për institucionin shëndetësor dhe pacientët.
Gjatë takimit u diskutua mundësia e krijimit të një salle lojërash për fëmijët e hospitalizuar, me synim që qëndrimi i tyre në spital të jetë më i ngrohtë, më miqësor dhe më i përshtatshëm.
Drejtori Cana e vlerësoi interesimin e ambasadores dhe gatishmërinë për të mbështetur iniciativa që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e fëmijëve.
“E vlerësojmë shumë vizitën dhe interesimin e Ambasadores Ziv për Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit si dhe gatishmërinë për të mbështetur iniciativa që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e fëmijëve dhe në përmirësimin e përvojës së tyre gjatë trajtimit spitalor”, tha Dr. Afrim Cana, drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit. /2LONLINE/
