Ambasadori Walker, nderi i qytetit tim!

Ambasadori Walker, nderi i qytetit tim!

Shkruan: Shqipe Aliu

/E lumtur që përjetova fatin, të shohë tempullin më të lartë të legjislativit të qytetin tim, të unifikuar në nderim të një figure, heroit të gjallë të Kosovës së vuajtjeve, tani më qytetar nderi i Gjilanit, ambasadorit Wiliam G Walker/

Walker, nisi misionin e tij dhe kontributin e pazëvendësueshëm, sensibilizoi bashkësinë ndërkombëtare për atë që po ndodhte në Kosovë në vitin 1999, ku popullata e Kosovës po i nënshtrohej një vale të paparë të terrorit, po ndodhte një plojë , një kërdi, një gjakderdhje e madhe mbi popullatën e pafajshme shqiptare të Kosovës nga ana okupatorit serb.

Aso kohe, në Kosovë po bëhej aparteid në shfarosjen e një kombi të tërë dhe vetëm se kërkonin lirinë, kërkonin të ëmblën mëvetësi për vendin e vet e që të jetonin të lirë si çdo komb i botës, kërkonin ta ruanin gjuhën dhe identitetin kombëtar, por për pasoj filloi të ushtrohej dhunë dhe frikë duke u përcjellë me dënime dhe vrasje arbitrare, kohë kjo ku nuk u kursyen as fëmijët akoma të pa lindur duke masakruar nënat e pafajshme, thjesht këtu po vritej shpresa dhe e drejta e jetës e ushtruar kundër çdo njërit që gjuhë të nënës kishte shqipen.

Pranverën e hershme të 99’së, e preken ditë të rënda të fatit të kombit, pranverë e mbuluar me plojën e trishtimit, ku shpresa për ditë të bardha dukej se po zhdukej. Jep Zoti dhe ndodhë fat në fatkeqësi, gjaku i shqiptarëve të pafajshëm të Reçakut ngjyrosë fatin e kombit me lajmin e lirisë.

Sa herë e kujtoj lirinë e Kosovës aty më shfaqet humanist i madh i hapave të Nënës Terezë, tani më hero i Kosovës z. Wiliam Walker, por edhe sa herë më bie ta shohë në paraqitjet publike, z. Walker, mua më shfaqet liria e Kosovës, kjo është për secilin që betohet në ngjyrat kuq e zi, ngase liria e Kosovës dhe shpëtimtari Walker janë një dhe të pandarë.

Për kujtesë, Kosova asokohe po monitorohej nga një mision ndërkombëtarë të cilit po i printe diplomati i karrierës, ambasadori Wiliam G.Walker, ai burrë që me fjalët e tija do të vuloste fatin e një kombi, ai i vendosur deklaroi “atë që unë po e shohë sot këtu ne Reqak, nuk kamë parë kurrë në jetë, një masakër e tillë ndaj fëmijëve, pleqve e grave, akoma, nuk ka ndodhur askund në botë!” Ishin fjalët plotë emocione të ambasadorit Walker me të parë masakrën e Reçakut.

Tani kur jemi në muajin e madh të dhembjes dhe krenarisë kombëtare , në muajin e Jusufit, Bardhoshit dhe Kadri Zekës vargonit të krenarisë i shtohet titulli qytetar nderi i qytetit të Gjilanit, emrit që mbanë meritat sublime të lirisë, ambasadorit Wiliam G. Walker.

Sa me fat isha këto ditë, kur Kuvendi Komunal i Gjilanit, mori vendimin qe ambasadori Walker, të shpallet qytetar nderi, dhe në seancën solemne atij duke i shprehë fjalët më falënderuese në shenjë respekti për meritat e treguara për Lirinë e Kosovë nga Kryetari i Komunës së Gjilanit z.Lutfi Haziri, i është dhuruar çelësi i Gjilanit, traditë kjo që bëhet në nderim të figurave që mbajnë merita të veçanta dhe të ndritura në historinë e një kombi.

Unë sot duke kujtuar masakrën e Reçakut, më bie ndërmend vargjet e Kadaresë, ku poeti bën një krahasim të fuqishëm në mes të këtyre dy ngjarjeve, ku thotë:

“Dhe u kthye nata e Prishtinës,
Në natë Shën Bartolomme”.

E ku Kadare fatin tonë e krahason me Masakrën e Parisit, pra, njësoj siç kishin bërë mbreti dhe kleri katolik një masakër mbi hugjenotët më 24 gusht 1573, dhe më vonë thotë :

“Retë e globit veç ju panë”,

Me çka mua më asocion, retë me zërin e Walkerit që bëri bota ta kuptoj terrorin që ushtrohej mbi ne dhe të bënte gjithçka për të na nxjerrë nga okupimi gjakatar serb.

Kadare e ndihen dhimbjen, e përjeton terrorin mbi popullin shqiptar në Kosovë, sepse ai i përket të njëjtit gjak, gjakut të arbërit. Nga ana tjetër poeti te poezia “Terrori në Kosovë”, tregon me vargjet e tij si në vijim:

“ Ju që preket historinë,
dhe në histori u kthyet vetë”.

Se të gjitha atyre që luftuan për të mbrojtur historinë e popullit shqiptar, gjuhën, atdheun, u ngritën lapidare dhe hynë përjetësisht në historinë e lavdishme të kombit shqiptar.

Seancën solemne e begatoi zëri i Walkerit ku unanimisht është votuar që ai të jetë qytetar nderi i Gjilanit, dhe mesazhi I tij se kështu dua t’ju shohë të bashkuar në interes të Kosovës,, ngase të bashkuar s’kanë çka ju bëjnë trenat e Serbisë.

Tani, kur ambasadori Walker është qytetar nderi i Gjilanit,unë dhe qytetarët ndjehemi të lumtur dhe përjetësisht themi Tungjatjeta z. Walker – Ti hero i gjallë i vendit tonë!

/autorja është profesoreshë e letërsisë dhe gjuhës shqipe/

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE