Deputetët popullorë Riza Halimi dhe Shaip Kamberi kanë dërguar letër ambasadave të huaja në Beograd lidhur me mungesën e teksteve mësimore për nxënësit shqiptarë në Serbi dhe mosnjohjen e diplomave reciproke universitare të Kosovës.
Ata përmes kësaj letre kanë kërkuar që të zgjidhen këto probleme nëse do të ketë vullnet të mirë politik në Ministrinë e Arsimit të Serbisë duke u bazuar në shembujt e praktikës pozitive në të kaluarën, shkruan Titulli.com.
“Në këtë situatë të mungesës drastike të teksteve mësimore në gjuhën shqipe, nxënësit Shqiptarë nuk po munden ta realizojnë parimin kushtetues për “mundësitë e barabarta” dhe në këtë mënyrë ata janë në pozitë të pabarabartë me moshatarët e tyre në mjediset tjera”, thuhet në letrën e dërguar korit diplomatik në Beograd.
Ndërsa shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Majkëll Davenport ju ka përgjigjur kërkesës së deputetëve shqiptarë në parlamentin e Serbisë duke thënë se Bashkimi Evropian i jep rëndësi të veçantë respektimit të plotë të të drejtave të njeriut dhe të pakicave, e cila është një pjesë integrale e Kapitullit 23 në negociatat e pranimit të Serbisë me BE-në, transmeton Titulli.com
Davenport ka sugjeruar që të inkurajohet Këshilli Kombëtar Shqiptar të miratojë një qasje bashkëpunuese për këto problematika me Ministrinë e Arsimit të Serbisë.
për më tepër në http://titulli.com/index.php?m=post&s=18156