Alpinizmi në Preshevë bashkon serbët e shqiptarët (Foto)

Ashtu si çdo vit, alpinistë nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Bullgaria e më gjerë u mblodhën sërish në takimin e bjeshkatarëve që organizohet çdo fillim-dimri në Preshevë. Ndryshe nga vitet e tjera, ku flamuri shqiptar nuk duhej ngritur gjatë kufirit apo dhe në aktivitet, pasi cilësohej nga autoritetet serbe si provokim, këtë vit gjerat dukeshin me ndryshe.

Flamuri shqiptar dukej se për serbët nuk ishte më provokim, ndërsa autoritetet ushtarake të Serbisë përgjatë shtigjeve të bjeshkatarëve pjesëmarrës në këtë aktivitet treguan mikpritje që shqiptarët nuk e kanë pasur kurrë më parë në këto anë.

Një gjeneral serb i korpusit jugor të Serbisë, teksa kalonin alpinistët shqiptarë në zonën ushtarake të drejtuar prej tij (zonë kufitare), urdhëroi vartësit që të përgatisnin gosti për kalimtarët, çfarë ka çuditur së tepërmi alpinistët shqiptarë.

Xhimi Begeja, një nga pjesëtarët e grupit të alpinistëve shqiptarë, i cili përbëhej nga grupet e alpinistëve të Tiranës dhe Elbasanit, shprehet i mrekulluar nga ajo çfarë ai ka parë kësaj herë në zonën, të cilën shqiptarët gjithnjë teksa ishin të pranishëm në aktivitetet alpinistike e konsideronin si të rrezikshme.

“Këtë vit jemi përballur me një situatë tjetër, çfarë vërtet na ka lënë mbresa që do i ruaj gjatë në kujtesën time. Në takimin e Bjeshkatarëve ballkanas që zhvillohet në Preshevë ne sivjet nuk u pamë si të huaj, madje respekti i treguar ndaj grupit tonë është një befasi, që ne e morëm si një mesazh që politika serbe ndaj shqiptarëve nuk është më ajo e urrejtjes, e cila deri pak kohë më parë ishte lehtësisht e kuptueshme”, thotë alpinisti Begeja, i cili shton se këtë vit shqiptarët e gjetën edhe nga serbët mikpritjen që e ofrojnë për këdo, raporton BalkanWeb.

Takimi i bjeshkatarëve të Ballkanit në të cilin marr pjesë shumë shoqata alpinistësh jo vetëm që bashkoi në Preshevë flamujt e vendeve të ndryshme të Ballkanit, por në të u diskutua dhe për bashkëpunimin në të ardhmen teksa hapur u lëshua mesazhi se politika e vendeve ballkanike të përfshira në konflikte historike duhet të ndiqnin shembullin e këtij aktiviteti, që doli mbi gjuhën e urrejtjes që ka mbizotëruar.

Për alpinistët shqiptarë që nuk kanë folur kurrë më parë mbi mikpritjen e serbëve, duket se këtë vit gjërat kanë ndryshuar dhe nga ndeshja Shqipëri-Serbi, ku ndryshe nga sa mendohej shqiptarët u treguan popull me kulturë që nuk e thyejnë traditën e mikpritjes në shtëpinë e tyre.

Alpinistët shqiptarë të pranishëm në këtë aktivitet tregojnë se koha është për bashkëpunimin ndërsa klimën e mikpritjes serbe ata e argumentojnë dhe me faktin se edhe vetë Serbia e ka kuptuar se nuk është më Ish-Jugosllavia e dikurshme.

http://titulli.com/index.php?m=post&s=18977





KOMENTE