(2LONLINE) – Fermerët e Gjilanit, sivjet do të përfitojnë ndihma edhe më të mëdha nga pushteti lokal e qendror, si mbështetje për zhvillimin e këtij sektori që ofron mundësi të mëdha për punësim familjar si dhe për plotësimin e nevojave të tregut për prodhime vendore, thonë zyrtarë nga Drejtoria Komunale e Bujqësisë.
Veid Aliu, ushtrues i detyrës së drejtorit të Drejtorisë Komunale të Bujqësisë, thotë se në realizim e sipër është subvencioni i fermerëve me farë, ku deri tani kanë aplikuar rreth 300 fermerë.
Për një hektar misër fermerët subvencionohen nga Ministria e Bujqësisë me nga 100 euro, ndërsa për një hektar me grurë marrin nga 125 euro, ndërsa përfitues të këtij projekti do të jenë të gjithë fermerët që kanë mbi dy hektarë grurë, përkatësisht mbi një hektar misër. Por, një mbështetje të madhe, sivjet bujqit do të kenë nga Drejtoria e Bujqësisë, e cila subvencionin të gjithë ata fermerë që nuk i arrijnë kriteret e MBP-së për të qenë përfitues.
Rreth 600 fermerë, kryesisht të nivelit social, brenda kritereve të paparapara për subvencione, do të marrin foli najloni për sera gjatë muajit mars. “Projekte tjera të Drejtorisë për Bujqësi janë edhe shpërndarja e farës së misrit, në vlerë prej 18 mijë euro. Me këtë shumë të mjeteve do të subvencionohet mbjellja e një sipërfaqeje prej rreth 320 hektarë me misër”, thotë Aliu.
Një mbështetje e veçantë sivjet do të jepet për sektorin shtazor, përmes projekteve për ruajtjen e cilësisë së qumështit, ku 15 ferma do të marrin nga një laktofrizë me kapacitet prej 300 litra, kurse 100 fermerët të tjerë, të cilët dërgojnë qumësht në pikat e grumbullimit, do të përfitojnë nga një bidon alumini me kapacitet prej 40 litrave.
Për herë të parë do të subvencionohen edhe fermerët e deleve. Njëqind sish do të marrin nga një makinë elektrike për qethje të deleve. Mbështetje me projekte janë paraparë edhe për bletarët dhe 70 prej tyre do të marrin shtëpiza për bletë. Ndërkaq, do të vazhdojë organizimi i panairit të bletarisë, panairit të gjedhit qumështor, pastaj do të realizohet projekti “Bereqeti i vitit” si dhe projekte të tjera në dobi të fermerëve të këtushëm.
Për më shumë, për fermerët do të organizohen edhe trajnime të ndryshme, në bashkëpunim me bankën Pro Credit, për t`i avancuar njohuritë e tyre profesionale në përdorimin e teknikave të reja bujqësore, ku do të përfitojnë mbi 700 prodhues, thotë Aliu. Në përgjithësi, numri i fermerëve që sivjet do të përfitojnë nga Drejtoria e Bujqësisë do të arrijë në 2 mijë.
Por, nuk është vetëm Drejtoria e Bujqësisë, ajo që subvencionon fermerët, sepse prodhuesit më të mëdhenj kanë mundësi të aplikojnë e përfitojë edhe në grandet e Ministrisë së Bujqësisë. Nga këto projekte pritet të përftojnë mbi 700 prodhues. Në prill ndahen subvencione për mbarështuesit e lopëve qumështore, deleve qumështore, dhive qumështore, të bletëve, pulave vojëse dhe derrave.
Sipas kritereve të MBP-së, përfitues do të jenë fermerët që mbarështojnë mbi 5 krerë lopë, mbi 30 krerë dele, mbi 20 krerë dhi, që kanë mbi 30 shoqëri bletësh, mbi 2400 pula vojëse dhe mbi 2 krerë derra.
Aliu thotë se sivjet, për herë të parë do të ketë subvencionim të litrit të qumështit, për ata fermerë që bashkëpunojnë me pikat e grumbullimit. Këta prodhues do të ndihmohen me mjete financiare, sipas kritereve për “ekstra klasë”, “klasa e parë” dhe “klasa e dytë”. MBP do të vazhdojë t`i subvencionojë me fidanë edhe kultivuesit e pemëve.
“Ne jemi shumë të përkushtuar për t`i mbështetur fermerët brenda të gjitha mundësive që kemi”, thotë Veid Aliu. Bujqësia nuk është më një sektor i shatit dhe i njerëzve të pashkollë, siç konsiderohej dikur, por një sektor shumë i rëndësishëm zhvillimor, i cili duhet të përkrahet me të gjitha mundësitë.
Edhe kryetari i Komunës, Lutfi Haziri ka premtuar se bujqësia është njëri prej prioriteteve të tij kryesore gjatë këtij mandati qeverisës. /2lonline/