Aliu: Qëllimi ynë kryesor është interesi i qytetarit, jo i grupeve të ngushta
/2L ONLINE/ – Shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Avdyl Aliu e ka vlerësuar të dobishme për qytetarët punën e vendimmarrësve komunalë në këtë gjashtëmujor. Në një konferencë me gazetarë, ai ka thënë se Kuvendi Komunal i Gjilanit kultivon një klimë të mirë dhe tolerante ndërmjet grupimeve politike, ku të gjithë kanë të drejta të njëjta si dhe hapësirë e mundësi të barabartë për pjesëmarrje në diskutime.
Aliu tha se gjatë kësaj periudhe janë mbajtur 6 seanca, 5 prej tyre të rregullta dhe një solemne, ku janë miratuar shumë vendime dhe janë anuluar shumë vendime të tjera, të përbërjes së kaluar, që siç tha ai, kanë qenë të kundërligjshme.
Shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së, ka thënë se e gjithë puna e asamblesë komunale ka pasur si qëllim kryesor interesin e qytetarit dhe assesi interesin e ndonjë grupi të ngushtë.
Ai e ka vlerësuar të kënaqshëm edhe bashkëpunimin me ekzekutivin. “Ne kemi mënjanuar një të metë nga qeverisja e kaluar, ku për shkak të mungesës së këtij bashkëpunimi, në shumë raste ka pësuar qytetari”, ka thënë Aliu.
Avdyl Aliu ka thënë se Kuvendi Komunal i Gjilanit do të vazhdojë me këtë ritëm dhe këtë klimë pune, duke synuar që gjithmonë të bëjë edhe më shumë për interesat e qytetarëve.
Sa i përket punës së ekzekutivit, Aliu e vlerësoi disiplinën buxhetore, politikat zhvillimore, mirëqenien e qytetarit dhe mbi të gjitha kthimin e besimit të humbur te qeverisja.
“Nuk dua të them se kjo që kemi bërë ne, është më e mira e mundshme, sepse ka mundësi të bëhet edhe më shumë, por e rëndësishme është se ka ndryshime pozitive në krahasim me të kaluarën”, ka thënë Aliu.
Sa i përket opozitës, ai tha se do të donim të kishin më shumë alternativa, se sa kritika, për probleme të caktuara, megjithëse ka shprehur mirëkuptim për rolin që ka opozita.
LDK përfaqësohet në Kuvend Komunal me 14 këshilltarë. Avdyl Aliu është shef i grupit. /2L ONLINE/
