/2L ONLINE/ – Shefi i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së, Avdyl Aliu, ka mbajtur të hënën konferencë me gazetarë, të cilën e ka organizuar Zyra për Informim e Komunës së Gjilanit, për t`iu dhënë mundësi të gjitha grupimeve politike që përfaqësohen në asamblenë komunale që t`i paraqesin vlerësimet e tyre për punën e organit vendimmarrës në qeverisjen lokale.
Aliu ka vlerësuar se Kuvendi Komunal i Gjilanit ka bërë një punë të mirë gjatë vitit 2015. “Kemi miratuar shumë vendime dhe kemi anuluar shumë vendime të kundërligjshme të përbërjes së kaluar”, ka thënë Aliu, duke shtuar se po ashtu janë dhënë edhe raportime e informata të ndryshme nga drejtoritë dhe sektorët komunalë, janë shqyrtuar shumë kërkesa, nevoja e raste të ndryshme.
Në të gjitha këto aktivitete ka dominuar interesi i qytetarit të komunës së Gjilanit dhe assesi interesi i ndonjë grupi të ngushtë, ka thënë Aliu.
Në harmoni me nevojat e qytetarëve, janë formuar edhe dy komitete joobligative, Komiteti për bashkëpunim ndërkufitar dhe Komiteti për barazi gjinore, për t`i mbuluar edhe këto dy fusha shumë të rëndësishme, për të vazhduar më vonë me Komitetin konsultativ të ekspertëve të planifikimit hapësinor, ku përzgjedhja është bërë përmes konkursit publik.
Aliu e ka vlerësuar punën e këtyre trupave ndihmës, sepse lehtësojnë shumë funksionimin e Kuvendit Komunal dhe të ekzekutivit nga aspekti professional.
Ndryshe, ai ka thënë se Kuvendi ka vazhduar me sukses bashkëpunimin me të gjitha institucionet, mekanizmat dhe organizatat e ndryshme, të cilat kanë ndihmuar Komunën e Gjilanit, duke përmendur ATRC –në, OSBE, Asociacionin e Komunave të Kosovës, Helvetasin zviceran dhe të tjera.
Punë të mirë kanë bërë edhe komisionet e formuara nga Kuvendi Komunal, nëpër debatet publike për buxhetin, dëgjimet për rregullore të ndryshme dhe tubime tjera.
Kuvendi Komunal vazhdon të kultivojë një frymë të mirë dhe tolerante ndërmjet të gjitha grupimeve politike që përfaqësohe në vendimmarrje. “Ekziston një vullnet i mirë për të dhënë hapësirë të mjaftueshme dhe të pakufizuar në aspektin kohor për të gjithë anëtarët. Të gjithë kanë të drejta dhe mundësi të barabarta të pjesëmarrjes në të gjitha proceset në Kuvend”, ka thënë Aliu.
Ai ka kritikuar disa sjellje në Kuvend. “Nuk pajtohem me kolegët të cilët mungojnë në seanca, nuk e respektojnë kohën, nuk qëndrojnë deri në fund të seancave dhe gjithashtu nuk pajtohem edhe me gjuhën jo-parlamentare që përdoret nganjëherë në seanca”, ka thënë ai.
Aliu është shprehur i kënaqur edhe sa i përket bashkëpunimit me ekzekutivin, duke thënë se koordinimi është i nevojshëm për t`iu shërbyer sa më mirë interesave të qytetarëve të Gjilanit.
Duke folur për raportet pozitë-opozitë, Aliu ka thënë se ne po bëjmë punën tonë, ata po bëjnë punën e tyre dhe puna e tyre është të flasin. Megjithatë, Aliu ka thënë se beson në qëllimet e mira të opozitës.
“Dua të besoj se asnjë anëtar i Kuvendit nuk e ka shpenzuar kohën në mënyrë të padobishme, apo duke i shërbyer një interesi të ngushtë, por duke u munduar që të bëjë një punë të mirë për interesa të qytetarëve të komunës së Gjilanit”.
Konferencat do të vazhdojnë sipas orarit të planifikuar, me shefat tjerë të grupeve politike, për t`u përmbyllur me kryesuesen e Kuvendit Komunal. Për nesër (e martë) ka qenë e paraparë konferenca e shefit të grupit të këshilltarëve të PDK-së, Sahit Abazi, i cili është falënderuar për ftesën, por ka thënë se nuk mund të marrin pjesë në konferencë për shkak të agjendës politike. /2L ONLINE/