/2L ONLINE/ – Zyra për Informim e Komunës së Gjilanit ka vazhduar praktikën e organizimit të konferencave me shefat e grupimeve politike, për t`iu dhënë mundësi të gjitha subjekteve politike që përfaqësohen më me tepër se një mandat në Kuvend Komunal , që t`i paraqesin vlerësimet e tyre për punën e vendimmarrjes dhe ekzekutivit. Cikli i konferencave për periudhën 9-mujore të këtij viti, është hapur me Avdyl Aliun (LDK).
Kuvendi i Komunës së Gjilanit, si organi më i lartë vendimmarrës në pushtetin lokal, gjatë kësaj periudhe ka mbajtur 10 seanca të rregullta, një seancë të jashtëzakonshme dhe 2 seanca solemne, ku janë miratuar 30 vendime, 5 rregullore, 12 rekomandime, pastaj plani për menaxhim të mbeturinave, plani i veprimit për energji të qëndrueshme, 2 nisma, 2 marrëveshje bashkëpunimi me Komunat fqinje, memorandume, raporte, plane pune dhe të tjera, ka thënë Aliu.
“Kuvendi Komunal i Gjilanit, në të gjitha aktivitetet e veta, në fokus të interesit e ka pasur qytetarin dhe assesi interesat e ndonjë grupi të ngushtë”, ka thënë Aliu.
Përndryshe, Aliu ka theksuar se në Kuvendin Komunal të Gjilanit vazhdon të mbretërojë një frymë e mirë dhe tolerante ndërmjet të gjitha grupimeve politike, që nga fillimi i punës së kësaj përbërje. Të gjithë anëtarët e Kuvendit kanë të drejta të njëjta dhe mundësi të barabarta për të marrë pjesë në të gjitha proceset e punës, ka thënë ai.
Shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së, Avdyl Aliu beson se asnjë anëtar i Kuvendit nuk e ka shpenzuar në mënyrë të padobishme kohën e tij në vendimmarrjen komunale, ose duke i shërbyer një interesi të ngushtë, por duke u munduar që të bëjë një punë të mirë për qytetarët e Gjilanit.
“Në Kuvend është instaluar një demokraci e mirëfilltë. Ka marrëdhënie dhe bashkëpunim të mirë pozitë-opozitë dhe shpresoj se kështu do të vazhdojmë edhe më tutje, pavarësisht faktit se po shkojmë drejt një viti zgjedhor”.
Aliu beson se Kuvendi Komunal i Gjilanit dhe Komuna e Gjilanit, në përgjithësi janë një model i mirë për komunat dhe kuvendet tjera komunale në aspektin e tolerancës dhe bashkëpunimit ndërmjet grupimeve politike.
“Të vetëdijshëm se gjithmonë ka vend edhe për më mirë, ne synojmë të bëjmë edhe më shumë në të ardhmen për interesa të qytetarëve të komunës së Gjilanit”, ka thënë Aliu.
Po ashtu, me qëllim të mbarëvajtjes së punës në Kuvend dhe në Komunë, në përgjithësi, Aliu ka thënë se ekziston një bashkëpunim i kënaqshëm edhe me ekzekutivin. “Ne vazhdimisht koordinohemi për interesa të qytetarëve të komunës së Gjilanit”, ka thënë ai, duke shtuar se vlerësimet tona në përgjithësi, janë se po punohet mirë.
LDK përfaqësohet në Kuvend Komunal me 14 këshilltarë dhe është partia më e madhe. /2L ONLINE/