/2L ONLINE/ – Avdyl Aliu, shef i grupit të këshilltarëve të LDK-së thotë se raporti në mes të Kuvendit dhe ekzekutivit është shumë i mirë dhe se të gjithë anëtarët e KK-së me kohë i kanë në dispozicion raportin e kryetarit dhe të qeverisë komunale dhe se vlerësimet në përgjithësi janë se po punohet mirë.
“Me qëllim të mbarëvajtjes së punëve në Kuvendin e Komunës dhe në komunë në përgjithsi ne si kuvend kemi një bashkëpunim të kënaqshëm me ekzekutivin dhe duhet pranuar se koordinohemi për gjithçka e që kjo nuk nënkupton se po i shërbejmë ekzekutivit, këtë e bëjmë për t’i shërbyer sa më mirë interesave të qytetarëve të komunës së Gjilanit. Ky bashkëpunim paraqet një standard të ri se si duhet të ketë bashkëpunim ndërmjet legjislativit dhe ekzekutivit”, thotë Aliu.
Aliu shtoi se ka punë të kryera, aktivitetet të kryera, rezultate të arritura, por edhe vështirësi që kanë përcjellë punën e kryetarit, drejtorive dhe të njësive për periudhën tremujore.
Ai tha se kryetari dhe drejtorët gjithmonë shprehin konsideratë për vërejtjet dhe sugjerimet gjatë punës së tyre sepse askush nuk ka arrit e as kjo qeverisje sigurisht se nuk do të arrijë ta bëjë më të mirën të mundshme. Gjithmonë ka vend për më mirë prandaj kryetari dhe drejtoret e dinë se ka vend edhe për më mirë dhe, si te ne, por edhe te ta, ekziston besimi për një të ardhme më të mirë.
“Ekziston një vlerësim se është arrit dhe është instaluar një stabilizim dhe disipline buxhetore nga aspekti organizativ dhe financiar. Kryetari ka arrit që planifikimin për çdo vit ta përshtatë mirë me politika të zhvillimit, mirëqenies dhe kthimit të besimit të humbur. Promovim te transparencës ne vazhdim të punës së tij. Gjatë këtij tremujori, disa punë të kryera janë të dukshme mirë për syrin e publikut, disa të tjera më pak, por ka edhe të tjera punë që do të shihen në ditët dhe muajt në vazhdim”, ka thënë Aliu.
Sipas tij, puna e kryetarit dhe e qeverisë komunale e cila paraqitet në kuvend synon që të nxisë një vështrim kritik të asamblistëve, qytetarëve, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit, duke vendosur kështu një komunikim i cili shpresohetse do të prodhojë ngritje të performancës. /2L ONLINE/