Ngaqë gjenerojnë inflamacion në trup, alergjitë nga ushqimi mund të shkaktojnë shtim në peshë, kryesisht për shkak të ënjtjes. Nëse e ndieni veten tepër të etur gjatë apo pas ngrënies së një ushqimi, shtimi në peshë mund t’ju vijë si shkak i një alergjie ushqimore. (Shkaqe të tjera mund të përfshijnë sëmundje të ndryshme, veçanërisht diabetin, ndaj këshillohuni me mjekun tuaj). Alergjitë dhe intoleranca ndaj ushqimeve mund t’jua shtojnë akoma më shumë nepsin. Fajtorët më të rëndomtë janë zakonisht ushqimet që konsumojmë më shpesh: sheqeri, drithërat, shurupi i drithit me përmbajtje të lartë fruktoze dhe produkte të tjera me prejardhje nga drithërat (shtesat ushqimore më moderne), gruri dhe të tjera drithëra me gluten (elbi, thekra, tërshëra), mishi i lopës (ndoshta për shkak se lopa është ushqyer me drithëra), agrumet, lajthitë dhe farat, soja, kikirikët, midhjet, vezët, çokollata (kryesisht përbërësit shtesë shkaktojnë probleme, jo kakaoja në vetvete) dhe peshku.
Hapi i parë drejt humbjes së qëndrueshme të peshës është përcaktimi se nga cili ushqim mund të jeni alergjikë apo intolerantë. Alergjitë janë të vështira për t’u diagnostikuar apo vërtetuar. Edhe nëse ju apo mjeku juaj dyshoni për një alergji, shumë mjekë nuk janë në gjendje t’i dallojnë alergjitë nga ushqimet dhe intolerancat ndaj ushqimeve. Nëse vetëvëzhgimi nuk e zgjidh problemin, kërkoni ndihmën e një alergologu të specializuar, sepse shumë nga simptomat e alergjisë nga ushqimi mundet, gjithashtu, të burojnë nga një pafundësi sëmundjesh.
Përveç etjes së tepërt, ja disa nga shenjat që tregojnë për alergji të mundshme nga ushqimi:
– Të përgjithshme: lodhje, ndjenjë të fikëti, dobësi e përgjithshme, çrregullime në të ngrënë, sulme të papritura urie, ankth, hipoglicemi (sheqeri i lartë në gjak), alkoolizëm, obezitet, humbje peshe, luhatje të skajshme të peshës.
– Lëkura: kruajtje, puçrra, njolla të kuqe, zbokth, urtikarie.
– Mendja: përgjumje, konfuzion, ankth, depresion, letargji, hiperaktivitet, agresivitet, vështirësi në përqendrim, luhatje humori, nervozizëm, çrregullim emocional, pagjumësi.
– Koka dhe qafa: djegie ose ndjesi gudulisjeje, në gojë apo grykë, dhimbje koke, probleme me sinuset, marramendje, vështirësi në dëgjim, ndjesi fishkëllyese në vesh, kruajtje ose përlotje sysh, gjakosje e mishrave të dhëmbëve, plagë në gojë, infeksione kronike të syve, infeksione kronike të veshit, acarime të përsëritura të fytit, ngjirje e zërit.
– Kraharori: astmë, kongjestion pulmonar, kollë kronike, vështirësi në frymëmarrje, çrregullime të pulsit, rrahje të shpejta zemre.
– Barku: fryrje e barkut, mostretje e ushqimit, urth, dhimbje stomaku, diarre ose kapsllëk, spazma, gazra, të përziera, të vjella, fryrje e tejzgjatur e barkut.
– Krahët dhe këmbët: rëndesë e gjymtyrëve, bursit, tendonit, dhimbje kyçesh, artrit, flebit, ënjtje e duarve ose e nyjave të këmbëve.
– Legeni: probleme urinare, djegie gjatë urinimit, kruarje gjenitale, kruarje anale.
Secila prej këtyre simptomave mund të shkaktohet nga sëmundje serioze. Alergjitë nga ushqimi duhet të merren në konsideratë vetëm pasi mjeku juaj ka përjashtuar ndonjë sëmundje serioze. Edhe nëse po provoni të bini në peshë apo jo, mos lini pas dore reaksionet ndaj ushqimit. Dëgjoni atë që ju thotë trupi! Një dhimbje apo një siklet është gjuha e vetme me të cilën trupi juaj komunikon me ju. Duke ia mbyllur zërin nëpërmjet një tablete kundër dhimbjes, nuk e kuroni shkakun e saj. Nëse nuk ia vini veshin tani, simptomat vetëm do të përkeqësohen.