Albert Heta, Drejtor artistik i Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe Drejtori Ekzekutiv i Rrjetit të Institucioneve të Pavarura të Artit dhe Kulturës – RRIPAK, do të marrë pjesë në Konferencën Vjetore CIMAM 2016 që do të mbahet në Barcelonë, Spanjë nga data 18 deri me 22 nëntor 2016.
Konferenca Vjetore CIMAM 2016 “Muzetë dhe përgjegjësitë e tyre” organizohet nga CIMAM në bashkëpunim me Museu d’Art Contemporani de Barcelona (MACBA), CaixaForum. Cultural Center të ”la Caixa” Foundation, Barcelona, Fundació Joan Miró dhe the Fundació Antoni Tàpies.
CIMAM apo Komiteti Ndërkombëtar për Muzetë dhe Koleksionet e Artit Modern është një forum i rëndësishëm ndërkombëtar i karakterit profesional i krijuar për diskutimin e çështjeve teorike, etike dhe praktike në lidhje me mbledhjen dhe shfaqjen e artit modern dhe bashkëkohor.
CIMAM është komitet ndërkombëtar që si organizatë funksionon si komitet që bashkëvepron me ICOM – Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve (The International Council of Museums). ICOM është organizatë ndërkombëtare që përfaqëson muzetë dhe profesionistët e muzeve në botë. Që nga viti 1946, ICOM ka asistuar anëtarët të komunitetit të muzeve, të strukturura në komitete kombëtare, për të ruajtur, dhe konzervuar trashëgiminë kulturore dhe për bërë të qasshme dhe për ta ndarë me të gjithë. Sekretariati i ICOM gjendet në shtëpinë e UNESCO-s, Paris.
Aktualisht Kosova në këto struktura mund të merr pjesë vetëm nëpërmes profesionistëve të anëtarësuar në këto komitete.
Kontributi më i rëndësishëm i CIMAM bëhet nëpërmes Konferencës Vjetore që është një mundësi për komunikim, bashkëpunim dhe shkëmbim të informatave, ndërmjet muzeve, profesionistëve të arteve pamore, artistëve dhe institucioneve të tjera që merren me artin modern dhe bashkëkohor.
Konferenca e parë vjetore e CIMAM-it u zhvillua në vitin 1962 në Hagë. Që atëherë CIMAM ka organizuar 46 konferenca vjetore që janë mbajtur në mbi 30 qytete të ndryshme rreth globit.