DYLON

Alban Hyseni: Kur bllokuesit propagandojnë!

Alban Hyseni: Kur bllokuesit propagandojnë!
Avatar photo Redaksia

Këto ditë, opozita, LDK, PDK, AAK, kishin “kryqëzuar” me kritika e reagime, pushtetin aktual në Gjilan, përkatësisht të parin e komunës,  duke e cilësuar fajtor e dështues që në disa kategori punëtorët kanë mbetur pa paga me muaj.

Gjendje e tillë ishte evidente te NLP “Tregu”, në fushën e shëndetësisë, tek zjarrfikësit vullnetarë, OJQ, e kategori tjera, gjë që kishte bërë që opozita ta ngris zërin.

EkoHigjiena

Por, ndaj kësaj ka reaguar sot kreu i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i cili ka kujtuar që pikërisht opozita (LDK e PDK), ishin bllokues që buxheti komunal 2025 të mos votohej me muaj, përkundër ftesës të seancave të jashtëzakonshme të kuvendit Komunal, ku opozita është shumicë, por edhe liderëve të opozitës për të reflektuar, transmeton 2LONLINE.com.

Hyseni ka thënë se qysh atëherë ka paralajmëruar se mos votimi i buxhetit nga opozita  mund t’i lë pa paga punëtorët për të cilët tani është reaguar, por se atëherë nuk kishte gjetur mirëkuptim por bllokim nga ana e tyre.

Kujtojmë se pas shumë tentimeve që prej shtatorit të vitit të 2024, për shkak të mospajtimeve të thella pozitë-opozitë, ngërçi në Kuvendin e Gjilanit ishte tejkaluar tek në shkurt (seanca e 27 shkurtit), duke u miratuar buxheti për vitin 2025. Por, zhvillimet në qendër, në Kuvendin e Kosovës, mos krijimi akoma i Qeverisë së re, dalë nga zgjedhjet e fundit nacionale, ka bërë që Gjilani të jetë komuna që ballafaqohet me këto probleme për shkak të buxhetit.

Por, Hyseni ka thënë se edhe kjo çështje do të zgjidhet shpejtë derisa zërat reagues të opozitës për këtë çështje i ka quajtur propagandë e bllokuesve për shkak të zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në tetor.

“Folëm gjatë për pasojat, bëmë thirrje për muaj me radhë për unifikim për qytetarët, dolëm çdo ditë në konferenca e ftuam dhjetëra seanca. Ju paralajmëruam për pasojat e mëdha që do t’i kenë qytetarët tanë, e bëmë thirrje mos të përdoret kjo temë si fushatë”, ka nisur reagimin e tij Alban Hyseni, duke kujtuar kohën kur ftonte për miratim buxheti, transmeton 2LONLINE.com..

Ashtu siç e paralajmëruan edhe ndodhi ka thënë ai. “Krekosja e harresa e buxhetit në kohë të zgjedhjeve nacionale, në kurriz të luftës ndaj Qeverisjes së LVV-së po i korr frytet përsëri në fushatë për garën komunale”, thotë tutje Hyseni.

“Qytetarët e Gjilanit ju njohin, ua dinë veprimet dhe e dijnë kush jeni! Zgjidhja bëhet shpejtë, sepse Gjilani nuk është prioritet vetëm në fushatë, por çdo orë e çdo ditë”, ka thënë kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni,  i cili në zgjedhjet e tetorit, si kandidat i Vetëvendosjes sërish e kërkon edhe një mandat për të qenë i pari i komunës. /2LONLINE/