Gjilan – (2LONLINE) – Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Gjilani” është kthyer nga Bullgaria ku ishte pjesëmarrës në Festivalin e 18 Ballkanik ,,Festivali i te rinjve te Ballkanit” në Sandanski te Bullgarisë.
Kryetari i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Gjilani”, Nehat Ferati tha se ansambli pati katër paraqitje të suksesshme, veçanërisht në natën finale ku para më se 5000 shikuesve, u interpretuan valle e lojëra burimore e koreografike me veshje kombëtare dhe kolorit të shkëlqyer dhe u prit jashtëzakonisht mire nga publiku.
Sipas tij, në këtë ngjarje kulturore Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Gjilani”, është paraqitur krahas pothuajse gjitha shteteve Ballkanike.
“Në këtë Festival janë vendosur kontakte të shëndosha me të gjitha Ansamblet dhe grupet e të gjitha shteteve të tjera. Festivali kishte karakter revyal dhe program të larmishëm.Kjo pjesëmarrje e Ansamblit Gjilani në këso lloj ngjarjesh kulturore konsiderohet shumë e dobishme për shkëmbimin e eksperiencave te të rinjtë ku iu dha mundësia që të shkëmbejnë përvoja dhe vizione të ndryshme mes tyre”, ka thënë Ferati.
Ai tha se pjesëmarrja e Ansamblit si përfaqësues i Komunës së Gjilanit dhe Republikës së Kosovës ishte jashtëzakonisht e suksesshme dhe dinjitoze.
“Vlen të theksohet se pjesëmarrja e AKV “Gjilani” në këtë Festival është mundësuar nga Komuna e Gjilanit – Zyra e Kryetarit dhe Drejtoria për Kulturës, Rinisë dhe Sport”, ka thënë Ferati. / 2lonline/