Aktori(politikani) dhe teatri!
Nga; Zejnullah Jakupi
/2L ONLINE/ – Lexova diku tek thuhet se filmi SHOK do fitoj OSCAR-in. Përjashto këtë film, aktorët tanë nuk i luajnë rolet mirë, se dështojnë në luajtjen e rolit që ju caktohet. Unë nuk po i dallojë shumë aktorët dhe rolet e tyre prej politikanëve të sotit. Brenda këtij supozimi fshihet një çështje mjaft komplekse që ja vlen të trajtohet shkurtimisht; Së pari, duhet të thuhet se aktori(politikani) i shfaqjeve tona është një aktorë tipik rural me vetëdije primitive, i dhunshëm, dinak dhe gjysmë i shkolluar. Ky aktor axhami është me profesion dinak, veç sa ka mësuar të luajë rolin, të gënjej e të mashtroj, “të vras dhe të pjek”(siç thotë populli)! Për çfarë shquhet ky tip akoma që mashtron vetveten dhe të tjerët me lojën e tij të tmerrshme në arenën e gladiatorëve të çuditshëm? Ky e luan një rol që i ´u është caktuar(E. Goffmann – Ne të gjithë luajmë teatër, sipas rregullave që na caktohen).
Aktori nuk është vetvetja dhe mundohet ti frenoj tiparet (fyerjet, kërcënimet dhe sjelljet tjera partikulare), dhe varësisht sa ja arrin në praktikë, detyra e tij në jetën sociale është “aktrimi i mirë”, ta emitoj 100 përqind personazhin. Akronimi i maskave inkorporohet në duzinën e rolit të cilit i vardiset. Ky aktor(politikan) ka veti paranoike, do të thotë është i aftë, e fsheh dorën kur e gjuan gurin, e luan roli deri në përmasa biblike. Edhe fytyrën ja mban fshehur një iluzion dhe e josh drejt perfeksionimit deri sa roli i tij shkrihet në egon e tij të nënvetëdijes. Ai është rrenacak, – se ambienti ynë e lyp kështu. Rrena nuk duhet të zbulohet si e tillë… dhe mundohet t´i bind masën si aktori në teatër. Ky është Ai personazhi…ndërsa publiku (elektorati) duhet t´i duartrokas “mbretit”… Duartrokitësit janë aktor dhe publik njëkohësisht.
Ky aktorë tipik “i mirë” “ i poshtër” në fakt është vet prodhimi i ambientit kulturor. Ai është prodhim dhe i porositur për inskenime shfaqjesh kudo dhe qëllimi i tij është të ndikoj tek tjerët me rolin e tij. Ai e ka zakon, para se të fillojë aktrimin, mbledh info; e studion sjelljen, paraqitjen e tij vizuale, mimikën, gjestet e tij, beson se publiku që e rrethon e beson, beson se po i bind edhe të pabindurit. Rezultatin e imazhit të tij e tregon me sjellje, me dukje të jashtme e rregullon e mban nën kontroll, që të bëhet i besueshëm.
Mënjanimi i situatave të palakmueshme, shkon drejt një projektimi të një pritshmërie përmes sinjaleve… Natyrisht ky e shfrytëzon maskën. Roli i tij është natyra e dytë, të cilin mundohet ta fsheh nën maskë, një realitetet të inskenuar.
Ky aktor nuk është prej atyre dështuesve teatral të zakonshëm kur në momente cinike “shfaqet” cullak para aktorëve tjerë se i humb besimi në rolin e tij, qoftë edhe nëse dëshiron të zbret deri në aktor amator, pra kur do ta luaj rolin keq dhe do të dështojë. Përmes ritualit përforcon vlerat shoqërore dhe gjithë kjo kulmon në një show banal, i cili është diferenca në mes të rolit të caktuar dhe rezultatit qe e tregon në bynë kur aktron. Roli i tij (maska) nuk ndryshon asnjëherë, siç e lypin rregullat e teatrit. Maska e mbron atë të mos i ndodhin veprime të pakontrolluara. I duhet të jetë në rregull. Ai është perfekt. Nuk ka rëndësi përshtypja se a është në të vërtet e rrejshme maska brenda së cilës emiton “vetveten”.Ai krijon bindjen si industri… Komponenta morale e tij është se ai kurrë nuk pyet se a ka të drejt apo jo. Drejtësia nuk ka rëndësi për të? Atë e mirëmban besëtytnia. Dogma e tij nuk duhet të zbulohet kurrë, sepse çdo “indokrinim” pastaj do manifestohet me humbjen e fytyrës, dhe kjo sjell humbje të imazhit. Me këtë dobësohet ikona e rolit të tij të vërtet.
Ta emitosh rolin, pa qenë vet “personazhi” është vërtet shumë vështirë. Por Aktori(Politikani) i vërtet është vet mjeshtëri. Ai mënjanon përshtypjen false, mbase e di se kjo i rrezikon besueshmërinë e tij. Duke qenë aktor i mirë ai ruan distancën sociale, e me këtë e mbron pushtetin dhe famën. Perfeksionimi i tij do të kurorëzohet nëse arrin sferën e lartë përmes mistifikimit të sferës së tij ideale. Roli i tij në shoqëri është ekzistent. Sovrani në këtë rast (regjisori) kurrë nuk i ka kërkuar përgjegjësi morale…Nëse i hiqet maska, figura e tij do të shembet si kulla prej letre…/2L ONLINE/
