/2L ONLINE/ – Teatrit të Qyteti të Gjilanit duket se i kanë bërë “sehire” të rënda dhe nuk po mund të ngitet asnjëherë mirë në këmbë, për me e nis rrugëtimin e saj drejt të mbarës. Nuk po mund të kalojë një periudhë e mirë kohore kur për teatrin do të mund të flitej, shkruhej e dëgjohej, vetëm për shfaqje të mira, për projekte serioze, për publikun fantastik që e ka Gjilani, për investimet që bëhen në këtë institucion e gjëra të tjera pozitive, por të pashmangshme janë lajmet që po prodhon gjendja në këtë institucion, si: nuk po jepen rrogat, nuk ka drejtor ky teatër, po stërgjatën punimet në këtë institucion, nuk ka shfaqje, nuk ka repertoar, duhet sërish protesta, e gjëra të tjera negative.
Përndryshe, një konkurs i paradokohshëm që zgjodhi 12 aktorët rezidentë të Teatrit dhe ndarja e mjeteve edhe nga Ministria e Kulturës për t’iu bërë investime në këtë teatër, (ku po vazhdojnë akoma punimet), sikur u panë si një sinjal i mirë i këndelljes së këtij institucioni të kulturës, por ja që tani sërish ka zhvillime të tilla që kthejnë në aktualitet, retorikën se: nuk po jepen rrogat, pse po vonohet zgjedhja e drejtorit, kërkohet përgjegjësi për ngecjet, zhvillimet e ngadalshme në këtë institucion, flitet po ashtu sërish për mundësinë e protestave, e gjëra të ngjashme që nxjerrin në pah probleme dhe pakënaqësi.
Avni Shkodra, aktor i Teatrit të Gjilanit thotë për Portalin 2LONLINE, se ansambli i aktorëve, ndonëse kontratat i kanë nënshkruar që nga data 1 Qershor 2016, ende nuk e kanë marrë pagën e parë. Por, po ashtu nuk janë kompensuar as për shfaqjen “lulja e Shega” e luajtur para kontratës, me premtimin se do të kompensohen nga shitja e biletave.
Shkodra ka thënë se zyrtarisht janë pranuar në punë me datën 1 Qershor të këtij viti. Ndërsa, shfaqja për fëmijë “Lulja dhe Shegës”, e dhënë për publikun disa herë, premierë e patën dhënë me datë 27 ose 28 Maj.
“Këtë shfaqje e kemi filluar akoma pa i nënshkrua kontratat, të cilat na u janë premtua që kanë me u ofrua për nënshkrim, nga data 15 Maj, pra që kishte me nënkuptua se kjo shfaqje do të realizohej në kuadër të asaj kontrate dhe gjithçka kishte me qenë në rregull. Gjithashtu na u është premtua që nëse nuk nënshkruhen kontratat nga data 15 Maj, atëherë, për shfaqjen në fjalë ne do të paguheshim nga shitja e tiketave”, ka theksuar aktori Avni Shkodra.
Por ai thotë se akoma nuk është kompensuar për rolin e tij të “Xha Ariut”, në këtë shfaqje dhe këtë vonesë e vlerëson të pakuptimtë. I pyetur se pse sipas tij nuk po kryhet pagesa, Shkodra thotë se nuk ka informatë konkrete e të saktë që iu është thënë atij pse, por herë përflitet se janë harxhuar të hollat, të cilat ishin menduar për paga, dhe tash nga fondet e mbledhura nga “Lulja dhe Shega” duan me i krye obligimet e pagave, e herë përmendet arsyeja e procedurave që e pamundësojnë dhënien e pagave sepse fonde ka, mjetet janë, por Teatri nuk ka drejtor dhe nuk mundë të nënshkruhen pagat. Pra, duhet prit të zgjidhet drejtori i teatrit i cili do t’i nënshkruante rrogat për aktorë.
Sido që të jenë arsyet, thotë Shkodra, një po dihet saktë se, Teatri i Gjilanit, nuk po ua kryen obligimet financiare për shfaqjen “Lulja dhe Shega” e gjithashtu edhe po ua vonon pagat. /2L ONLINE/