(2L ONLINE) – Me qëllim të sensibilizimit të opinionit për problemin e dhunës në shkolla, rrezikun nga substancat narkotike, trafikimin me të mitur dhe format tjera të keqtrajtimeve, si dhe nevojën për parandalimin e këtyre dukurive të dëmshme për shoqërinë dhe veçmas të rinjtë tanë, Organizata Joqeveritare “Psikoterapeutët në Veprim”, ka paraparë një aktivitet për të promovuar thirrjen për një vetëdijesimin qytetar.
Dr Sevdije Musliu, ka bërë të ditur se bazuar në disa hulumtime e posaçërisht duke iu referuar të dhënave alarmante që i kanë siguruar nga bashkëpunimi me nxënës të niveleve të ndryshme shkollore, sikurse edhe në kërkesën e tyre për të pasur një ambient më të sigurt, Organizata “Psikoterapeutët në Veprim” ka ndërmarrë këtë aktivitet, për të promovuar së bashku thirrjen për një vetëdijesimin qytetar, jo vetëm, në komunën e Gjilanit, por gjithandej në Kosovë.
Sipas saj, në këtë funksion, të mërkurën, më 22.11.2014 do të organizohet një aktivitet publik, që fillon në ora 13:00, me një parakalim nga shkolla fillore “Selami Hallaqi” dhe vazhdon deri para Teatrit të Qytetit, ku në ora 14:00 mbahet tubimi qendror. /2L ONLINE/