Aktivitete sensibilizuese të policisë për sigurinë e nxënësve
Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2026/27 në kuadër të planifikimeve për siguri në shkolla, ka planifikuar një sërë masash me qëllim të garantimit të një ambienti të sigurt për nxënësit dhe të gjithë stafin arsimor me theks të veçantë për sigurinë në trafikun rrugor.
Në kuadër të këtyre planifikimeve sot më 01.09.2026, Njësia Sektoriale dhe Komunitet nga Stacioni Policor në Gjilan në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport kanë shpërndarë fletushka me këshilla dhe udhëzime konkrete për sigurinë e fëmijëve, kanë zhvilluar aktivitete të përbashkëta në terren me nxënës si dhe aktivitete të tjera të cilat janë zhvilluar në afërsi të shkollave që ndodhen pranë akseve kryesore rrugore.
Qëllimi i këtyre aktiviteteve ka qenë ndërgjegjësimi i nxënësve dhe prindërve për rëndësinë e respektimit të rregullave të trafikut dhe rritjes së kujdesit gjatë lëvizjes në dhe pranë zonave shkollore.
Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, veçanërisht tek drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes në afërsi të shkollave të shtojnë kujdesin, të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe rregullat e komunikacionit duke pasur parasysh praninë e shtuar të fëmijëve dhe nxënësve në trafik. /2LONLINE/
