DYLON

Aktivitete në terren për vlerësimin e gjendjes së lumenjve dhe për identifikimin e nevojave për ndërhyrje në pastrimin e tyre

Aktivitete në terren për vlerësimin e gjendjes së lumenjve dhe për identifikimin e nevojave për ndërhyrje në pastrimin e tyre
Avatar photo Redaksia

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, në Komunën e Gjilanit, Enver Shabani, së bashku me zyrtarët e drejtorisë për vlerësimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore, kanë filluar vizitat në teren në kuadër të aktiviteteve të planifikuara për vlerësimin e gjendjes së lumenjve dhe identifikimin e nevojave për ndërhyrje në pastrimin e tyre.

Sipas drejtorit Shabani, gjatë këtyre vizitave në terren, po bëhet inspektimi i detajuar i segmenteve të ndryshme të lumenjve në territorin e komunës, me fokus të veçantë në zonat ku janë evidentuar probleme të mëhershme si grumbullimi i mbeturinave, bllokimi i rrjedhës së ujit, dëmtimi i brigjeve, si dhe rreziku potencial për përmbytje.

EkoHigjiena

Ai tha se zyrtarët po evidentojnë të gjitha pikat kritike dhe po mbledhin të dhëna konkrete, të cilat do të shërbejnë si bazë për hartimin e një plani të qartë dhe efikas për ndërhyrje.

“Ky aktivitet ka për qëllim jo vetëm përmirësimin e gjendjes aktuale të lumenjve, por edhe parandalimin e rreziqeve që mund të paraqiten si pasojë e reshjeve të mëdha apo faktorëve të tjerë natyrorë.  Përmes këtyre vizitave, synohet të rritet niveli i gatishmërisë institucionale dhe të sigurohet një reagim i shpejtë dhe i koordinuar në rast nevoje”, ka thënë drejtori Enver Shabani.

Ai theksoi rëndësinë e mirëmbajtjes së vazhdueshme të lumenjve si një element kyç në mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, si dhe në ruajtjen e mjedisit.

Ai gjithashtu nënvizoi se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe angazhimi i komunitetit janë të domosdoshëm për të arritur rezultate të qëndrueshme në këtë drejtim.

“Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim mbetet e përkushtuar që, në bashkëpunim me institucionet relevante dhe qytetarët, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të garantuar një mjedis më të pastër dhe më të sigurt për të gjithë”, ka thënë Enver Shabani drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.  /2LONLINE/