Aktivitet në terren me qëllim të ngritjes së sigurisë në komunikacion
Në kuadër të aktiviteteve të trafikut, Njësia për Sektor dhe Komunitet e Stacionit Policor në Gjilan në bashkëpunim me OJQ “Fuqia e Bashkimit Rinor” në Gjilan, kanë realizuar një aktivitet në terren me qëllim të ngritjes së sigurisë në komunikacion.
Gjatë këtij aktiviteti është bashkëbiseduar me drejtuesit e automjeteve duke përcjellë mesazhe vetëdijesuese për respektimin e rregullave të trafikut dhe rëndësinë e përgatitjes për sezonin dimëror, përfshirë pajisjen me goma dimërore dhe bartjen e zinxhirëve për borë.
Sipas autoriteteve policore, ky aktivitet kishte për qëllim vetëdijesimin e pjesëmarrësve në trafik, parandalimin e aksidenteve dhe promovimin e një kulture më të lartë të sigurisë rrugore. /2LONLINE/
