Akti nënligjor pritet t’i rregullojë procedurat administrative në Ligjin për të Huajt

Akti nënligjor pritet t’i rregullojë procedurat administrative në Ligjin për të Huajt

Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Izmi Zeka ka takuar sot në Gjilan qytetarë të Luginës me të cilët ka bashkëbiseduar lidhur me ndryshimet pozitive të legjislacionit i cili rregullon statusin e shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës.

Zeka ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovë, përkatësisht Ministria e Punëve të Brendshme është e përkushtuar për të bashkëpunuar me shtetet e Bashkimit Evropian dhe SHBA-të për të marr veprimet e nevojshme për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve të cilët gjenden brenda territorit të shtetit të Kosovës.

“Lidhur me këtë, MPB-ja ka marr veprime konkrete ligjore për të rregulluar statusin juridik të një pjese të qytetarëve që një kohë të gjatë gjenden në territorin e Republikës së Kosovës, të cilët kanë familje apo kanë krijuar familje, ndjekin shkollën fillore apo universitare, ushtrojnë biznese dhe janë pjesë e ekonomisë dhe popullit të Kosovës”, ka thënë Zeka, transmeton 2LONLINE.

Ai shoti tutje se janë të vetëdijshëm për burokracinë shtetërore që ka ekzistuar në arritjen e rregullimit të statusit civil për një kategori të qytetarëve dhe lidhur me këtë janë në fazën më të avancuar të prosperimit evropian dhe me një pozicion politik dhe ligjor.

Ndër pikat e rëndësishme të planit të punës së Qeverisë, përkatësisht MPB-së, Zeka ka thënë, se është edhe eliminimi i zbrazëtirave ligjore dhe legjitimimi i gjendjes faktike të kësaj kategorie.

Zeka ka thënë se ky debat do t’i shërbejë atij dhe ekipit të tij të punës për hartimin e normave konformë standardeve dhe gjendjes faktike deri në finalizim.

“Ky akt nënligjor ka për bazë ligjin për të huajt, i cili në mënyrë decidive përcakton të drejtën dhe obligimin për të rregulluar situatën me të cilën është ballafaquar MPB-ja përkatësisht Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion”, ka thënë Zeka, për të shtuar se ligji për të huajt ka përcaktuar disa kritere fillestare mbi të cilat akti nënligjor do ti rregullojë edhe procedurat administrative.

Zeka ka thënë tutje se për dallim nga legjislacioni i kaluar, i cili mund të konsiderohet që ka qenë më burokratik në këtë pikë, tani ligji i ri ka avancuar me mundësi të rregullimit të kësaj kategorie, për personat të cilët gjenden brenda territorit të Republikës së Kosovës, që një kohë të gjatë, e të cilët deri më tani, për një arsye apo tjetër, nuk kanë arritur të rregullojnë dokumentacionin e nevojshëm.

“Tani më ky grup i punës veç ka hartuar një koncept dokument dhe në vazhdim e sipërm jemi duke mbajtur takime të ngushta që sipas procedurave kemi paraparë deri në fund të këtij viti ta finalizojmë dhe dërgojmë për aprovim”, ka thënë izmi Zeka, zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Përndryshe, të pranishmit në këtë debat thanë se i takojnë një kategorie e cila ballafaqohet me problematika të tilla, pasi nuk po munden t’i nxjerrin dokumentet e nevojshme dhe se shpresojnë se ka ardhur koha që më në fund t’u zgjidhen problemet që po ua vështirësojnë jetën normale.

Diskutuesit si: Hamzë Hamza, Fatmir Fejzullahu, Mehmetali Salihu, Mustafë Shaqiri, Faton Halimi, Basri Xhemajli, e të tjerë, nxorën në pah problematikat dhe barrierat konkrete për shkak të të cilave nuk po munden të pajisen me dokumentacionin e kërkuar.

Kryetari i kuvendit komunal të Preshevës, Sami Salihu ka bërë me dije se kjo është një temë e rëndësishme. Shumë qytetarë të Kosovës Lindore ballafaqohen me këtë problematike, dhe se legjislacioni i deritanishëm nuk u ka shërbyer qytetarëve të kësaj pjese, përkundër ka qenë pengesë, por tani shpreson se çdo rregullim ligjor që do ta zgjidh njëherë e mirë këtë çështje, është e rëndësishme për ta.

Ndërsa, Kushtrim Haliti, nga Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion ka bërë të ditur për punën e grupit punues që, duke u bazuar në ligjin për të huajt, po punon për të nxjerrë një udhëzim administrativë për të rregulluar këtë çështje.

Ragmi Mustafa, nga Bujanoci foli për pasivizimet e vendbanimeve të shqiptarëve të Luginës, çka ia pamundëson atyre nxjerrjen e dokumenteve, me çka u pamundësohet realizimi i të drejtave të tyre. Ai mori shembuj se si të tjerët e kanë të rregulluar këtë çështje duke shpresuar se edhe Kosova do ta ketë një epilog pozitiv për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

KOMENTE