Aktakuzë për veprën penale “Shpëlarja e parave”
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit V.M., për veprën penale “Shpëlarja e parave”.
Sipas aktakuzës, gjatë periudhës 2009 – 2019, në Republikën e Kosovës, i pandehuri V.M.,duke qenë në dijeni se mjetet financiare kishin prejardhje nga veprimtaria e tij kriminale e shitjes së paautorizuar të narkotikëve, për të cilën ishte shpallur fajtor me aktgjykimin e formës së prerë të datës 28.05.2024, për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, me qëllim të fshehjes ose maskimit të prejardhjes së tyre kriminale dhe paraqitjes së tyre si mjete me prejardhje të ligjshme, ka futur në sistemin bankar dhe ka qarkulluar përmes llogarive të tij personale dhe llogarive të subjektit afarist “A.” O.P. shumën prej 542,478.86 euro.
Sipas PSRK-së, i pandehuri ka realizuar deponime dhe tërheqje të vazhdueshme të parave të gatshme në disa institucione financiare në Kosovë, përfshirë transaksione të përsëritura të tërheqjes dhe rideponimit të mjeteve brenda ditës ose në intervale të shkurtëra kohore. /2LONLINE/
