Aktakuzë për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje

Aktakuzë për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Gjilan, ndaj të pandehurve E.M. dhe Ç.S.

Sipas aktakuzës, i pandehuri E.M., më 21 janar 2019, në komunën e Kamenicës, derisa ka qenë në veturën e tij ‘’Golf II’’, nga pakujdesia duke manipuluar me armë zjarri, e ka plagosur në anën e majtë të këmbës së djathtë, të pandehurin tjetër Ç.S., i cili kishte qenë si pasagjer në ulësen e parë të automjetit, me ç’rast i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, për të cilat është dërguar për ndihmë, në Spitalin Regjional në Gjilan.

Me këto veprime, ka kryer veprën penale ‘’Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’’ nga neni 365 paragrafi 8 lidhur me paragrafin 6 dhe 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

I pandehuri Ç.S., që nga muaji nëntor 2018, pa leje ka mbajtur në pronësi armën e llojit ‘’Ekol Special’’, të cilën në fillim të muajit janar ia kishte shitur të pandehurit E.M., në shumë prej 130 euro, me ç’rast akuzohet për veprat penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 374 paragrafi 1 dhe ‘’Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse’’ nga neni 372 paragrafi 1 të KPRK-së.

Gjithashtu, edhe i pandehuri E.M., akuzohet për të njëjtat vepra penale, pasi që e ka blerë armën e zjarrit nga i pandehuri Ç.S., të cilën e ka poseduar pa leje.

Prokuroria, i ka propozuar gjykatës që pas shqyrtimit të provave, të pandehurit t’i shpallë fajtorë dhe t’iu shqiptojë sanksion penal, me të cilin do të arrihej qëllimi i dënimit.

KOMENTE