Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve G.P., M.Sh. V.I. dhe Gj.N., për shkak të veprave penale ‘’Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme’’ dhe ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës i pandehuri G.P., që nga viti 2021, në mënyrë të kundërligjshme ka uzurpuar dy parcela kadastrale, njëra në sipërfaqe prej 14357 m² dhe tjetra në sipërfaqe prej 8859 m², pronë e Ndërmarrjes Shoqërore “Ereniku Prodhimtaria Primare” në Gjakovë, me të cilën administron Agjencia Kosovare e Privatizimit, ashtu që i pandehuri në vazhdimësi ka shfrytëzuar këto prona duke ndërtuar 3 objekte dhe duke vendosur një kontejner, pa ndonjë bazë të vlefshme juridike.
Me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale ‘’Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme’’, nga neni 320 paragrafi 1 të KPRK-së.
Ndërsa, tre të pandehurit e tjerë si persona zyrtar, të pandehurit V.I. dhe M.SH., në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për Komasacion nga Drejtoria për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë në Komunën e Gjakovës, si dhe i pandehuri Gj.N., në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë në Komunën e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke qenë në dijeni se parcelat e sipërshënuara janë pronë e Ndërmarrjes Shoqërore “Ereniku Prodhimtaria Primare” në Gjakovë, me të cilën administron Agjencia Kosovare e Privatizimit, ashtu që i pandehuri V.I., i ka mundësuar palës A.N., bartjen e pronës në emër të tij, duke u bazuar në kërkesën e tij verbale e në disa vendime të komasacionit, ashtu që me Vërtetimin e datës 16.12.2021, të pa protokolluar, vërteton se A.N., nga Gjakova është pronar dhe duke u bazuar në këtë gjendje faktike, Drejtoria për Kadastër në Gjakovë e bartë parcelën e lartcekur fillimisht në emër të A.N., e më pas me Kontratë të shitblerjes në mes të palës A.N. dhe të pandehurit G.P., prona ka kaluar në emër të pandehurit, pa pëlqim dhe njoftim të AKP-së si administruese e vetme e pronës shoqërore.
I pandehuri M.SH., i ka mundësuar palës A.N., bartjen e pronës në emër të tij, duke nxjerrë aktvendim, si dhe duke përpiluar dhe nënshkruar kopjen e planit për parcelën, ndërsa, i pandehuri Gj.N., i ka mundësuar të pandehurit G.P. bartjen e pronës në emër të tij, duke nxjerrë aktvendim me të cilin të njëjtit i aprovohet kërkesa për bartjen në pronësi të parcelave.
Me këto veprime, të pandehurit M.Sh. V.I. dhe Gj.N., secili veç e veç kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së, thuhet në komunikatë. /2LONLINE/