Nga: Mustafë Jashari
(2LONLINE) – Në muajin Shkurt (09.02.14), në Portalin Informativ 2LONLINE, keni mundur të lexoni artikullin e titulluar: “Skamnorët nuk do t’i lëmë të uritur”, tani deshëm edhe kësaj radhe përmes këtij Portali, që deri më tani, na i sjell lajmet më të freska si nga ky regjion (Ana-Morava), gjithashtu nga Kosova, Shqipëria, trojet shqiptare dhe ato ndërkombëtare, t’u informojmë edhe kësaj here për shpërndarjen e ndihmave (artikuj ushqimor), më 1 Prill 2014, sipas planifikimit për këtë qëllim (çdo të parin e muajit që fillon).
Në fillim të kësaj iniciative, fundi Dhjetorit 2013, kishim identifikuar vetëm tri familje në varfëri të skajshme, dhe ndihmat ua dërguam me 1 Janar 2014, por disa ditë më vonë, na u shtua edhe një familje dhjet anëtarësh, në mesin e të cilëve 6 fëmijë të moshës së mitur, ne një gjendje të mjerueshme dhe të pa shpresë. Në shpërndarjen e radhës së ndihmave për skamnorët, më 1 Shkurt 2014, ua ofruam edhe kësaj familje ndihmat e para (artikuj ushqimor), që sado pak ua zbusin mungesën e ushqimit dhe kthejnë besimin tek bashkëvendësit të cilëve edhe u takojnë.
Iniciativa e Zhegrës dhe ajo e Zhegrës nga Gjeneva, deri më tani, kemi arritur ta realizojmë idenë, edhe pse modeste, për ndihma familjeve në varfëri të skajshme, kështu që, më 1 Mars 2014, është bë shpërndarja e radhës për 4 familje, dhe sot me 1 Prill 2014, kemi bë shpërndarjen për 5 familje, këtë të fundit 5 anëtarësh, në mjerim dhe të sëmur, e kemi identifikua gjatë muajit Mars, dhe kuptohet, nuk kemi mundur ta anashkalojmë duke iu ofruar ndihmat tona ushqimore, modeste.
Ne do e vazhdojmë edhe më, me aksionin e filluar, edhe pse kemi frik se numri i familjeve në varfëri të skajshme të Zhegrës me rrethinë është shumë më i madh se ky që ne kemi identifikua, por e kemi edhe një ide për të akumuluar më shumë mjete për ti përballuar kësaj sfide që banorëve u ka mbetur mbi supe. Ka shumë ndihmëtar që kohë pas kohe u japin ndihma në miell, vaj, para etj. por të organizuar do të ishte ndihma me vlerë shumë më të madhe, pasi që ajo do të ndihmonte një numër më të gjer të familjeve, dhe atë me artikuj të ndryshëm ushqimor pa të cilët do të ndihej një mungesë. Iniciativa, çdo të parin e muajit ndihmon me 28 artikuj të ndryshëm, 5 familje me 27 anëtar, prej të cilëve 15 fëmijë të moshës së mitur dhe aksioni do të vazhdoj në shpërndarjen e radhës, më 1 Maj 2014. /2LONLINE/
/IQZH, Zhegër dhe SHHB ”Zhegra”, Gjenevë/