Aksioni i armëve!
Femi HALIMI
/2L ONLINE/ – Tani kur po zbatohet ligji i shetit serb në Kosovë lidhur me gjykatat speciale, më kujtohet zbatimi i tij gjithnjë mëparë para se të vinin trupat ndërkombëtare këtu. Një mospërputhje vetëm e ligjeve po ndodhë tani, ku të huajtë janë këtu prej 1999 -s dhe kur këto forca që mbajnë në siguri vendin tonë, përderisa nuk lënë forcat serbe të hyjnë , ndërkohë gjatë gjithë kohës lejojnë që qeveria srebe të zbatojë ligjet e saj, sikur të ishte vetë këtu.
Qebesa një dajë imi thoshte se nëse teprohet e nuk mbahet kjo e mirë që erdhi, këta që po na ruajnë rrijnë edhe më tutje këtu por e sjellin “Sërbinë”! Edhe thoshte shpesh se “po tutna që po vdes para Sërbisë”, gjë që edhe ndodhi!
Do të thotë, si thoshte daja, gjithçka është siç ka qenë dhe siç do të jetë dhe sundimi serb do të vazhdojë këtu, veçse Sërbia këtë do ta bëj nga jashtë.
Nuk është fjala se kemi të bëjmë me një sundim, por në të vërtetë një krim në vazhdimësi që u ndërpre më 1999, e që vazhdoi, me të vetmin ndryshim se Serbia u nxorr jashtë Kosovës! Për më tepër ka tani të këqija që nuk ishin atëherë! Për shembull, natalitetin nuk mund e ndali Serbia kurrë sa ishte këtu, por tani që nuk është këtu, e ndali nga jashtë…
Nga shënimet e babës me pendë atëherë, veç fjalëve që mbaj mend, më kujtohen aksionet e qeverisë së atëhershme të pushtetit serb, nën mbulesën jugosllave të popujve të vëllazëruar e të bashkuar për një jetë të re të shëndoshë…
Aksioni i Armëve
Para se të vinte “Aksioni i armëve”, rreth dy vjet mëparë, Partia nisi mbledhjet e veta në çdo vend. Të gjithë ishin të pajtimit që të përkrahej ky aksion me të gjitha forcat. Këtë aksion po e bënte Pushtetit Popullor për të mirën e shqiptarëve këtu dhe se njëherë e përgjithmonë duhej të pastrohej secili nga njolla e akuzës së rëndë.
Sekretarët e Partisë në çdo vend këtë e theksonin buzagaz me të mirë dhe me butësi. Shqiptarët ishin të vëllazëruar me kombet tjera të jugosllavisë dhe të gjithë ia donin të mirën kombësisë shqiptare në Kosovë dhe se asgjë të keqe thonin nuk kishte në këtë aksion. Pse ishte vetëm ndaj shqiptarëve, kjo sqarohej me shumë arsye për shkak të mbetjeve të shumta të armëve në popullsi dhe për shkak të vrasjeve të shumta që po ndodhnin para syve të pushtetit në hakmarrje nga tradita e Kanuni.
Këtë thonin sekretarët nuk duhej lënë më të ndodhte para syve të tyre dhe që kombësia shqiptare të dëmtohej rëndë pa mundur të ndihmohej nga Pushteti Popullor.
Ishte një rast në gjykatën vendore, kur pushteti kishte vrarë shtatë e kishte arrestuar tridhjetë pjesëmarrës në hakmarrjet e ngatërresat e rënda të përgjakshme nëmes vete siç lajmëronin dhe me këtë rastet e këtilla ishin ndalur me plot sukses dhe gjithë lëvdata i bëhej Pushtetit të ri Popullor.
Në praninë e disa ndërkombëtarëve në procesin gjyqësor, përfaqësuesi ligjor vendor informoi të huajtë për rastin dhe për procesin, me çka të huajtë u mahnitën me profesionalizmin e lartë dhe drejtësinë ligjore që po zbatonte shteti i ri jugosllav ndaj një kombësie pjesë të përgjegjësisë.
Por në këtë proces, një njeri në arsimim e sipër doli publikisht para të huajve dhe tregoi procesin ndryshe ngasa ishte raporti i pushtetit para opinionit dhe të huajve. Ky njeri pastaj u arrestua dhe u dënua me burg të rëndë njëzet vjet, me akuzë për tentim të bashkimit të Kosovës Shqipërisë. Edhe këtë rast gjithë sekretarët e paraqisnin në mbledhjet shembull se si duhej të ndahej e hiqej nga masa fara e keqe.
Më kujtohet një fjalim i Rankoviqit i cili tha se deri tash në procese hetuesie e gjyqesh janë trajtuar mbi tre milionë armiq të vendit, shumë prej të cilëve kishin qenë shqiptarë, e që megjithkëtë nuk e prishi fare imazhin shumë të mirë të Jugosllavisë para botës për shtet të drejtësisë e paqës.
Duhej ndihmuar shqiptarët apo jo dhe a duhej të pranoheshin në mesin e kombeve jugosllave të vëllazëruar apo të zhdukeshin siç ishin kërkesat tjera kundërshtare, vendosën Tito dhe partia, -por që kjo të jetë kështu fuqishëm duhej ndihmuar shqiptarët vetë për çështjen këtë.
Iu thoshnin ata se duhej vetëm të dëgjonin Partinë e Pushtetin dhe do të bëhej gjithmonë vetëmse më e mira dhe kurrë nuk do të ndodhte e keqja. -Nëse pushteti popullor ndjek dikend, ju duhet ta ndihmoni pushtetin, -thonin ata të pushtetit thjeshtë e kjartë.
Kështu ka qenë!…
Po fjala ishte tek Aksioni i Armëve, që vinte pas Rezolutës së Informbyrosë, Aksionit të Mbledhjes së Ushqimit, e së fundit të Ekzodit. Para gjithë këtyre aksioneve të përgjakshme, pushteti vendor përgatiste popullatën shqiptare për të luftuar dukurinë e shëmtuar të cilën e kërkonte Partia. Vetëm shqiptarët ishin në shënjestër sikur tash, kur ishte për të keq.
Të gjithë ato aksione pastaj ishin bërë për të gjithë shqiptarët, përveç disave që ishin vetë në pushtet. Kështu edhe para aksionit të armëve, flitej se do të mblidheshin armët dhe do të ndalohej tradita e keqe e gjakmarrjes përgjithmonë.
Flitej se ky aksion nuk kishte të bënte fare me shqiptarët e barabartë me kombet e tjera të vendit, porse kishte të bënte me persona të caktuar, të njohur nga pushtetit, e të cilët nuk ishin ndjekur nga pushteti vendor për shkak të lidhjeve të forta farefisnore të shqiptarëve mes vete. Kështu me këtë përfundim, do të binte në lojë edhe ndokush nga vetë anëtarët e Partisë dhe të Pushtetit. Kjo donte të thoshte se ndjekja që po vinte nuk kishte një kufi që të dihej saktë se kujtë do ti binte.
Sekretarët përsërisnin gjithë ditën se njëherë e përgjithmonë shqiptarët duhej ta pastronin vetën para kombeve të bashkësisë dhe ndërkombëtarëve ndaj akuzave të rënda. Kërkonin të ndahej e keqja nga populli, që populli të shkonte përpara. Pastaj thonin se ky popull kurrë më nuk do të akuzohej sepse nuk do të kishte më kush të bënte të këqijat. Pushteti popullor thonin se do të lante e pastronte popullin këtë dhe do ta forconte e bënte të aftë për të ardhmën e ndritur.
Gjatë asaj kohe përderisa popullata po përgatitej me masat e aksionit, nisën të vinin lajme të frikshme nga anë të ndryshme, për vrasje të fshehta të njerëzve të mirë, të traditës, e me autoritet.
Me kohë sa afrohej aksioni, nisën të vriteshin edhe vetë anëtarët e partisë dhe pushtetit. Kështu u vranë shumë anëtarë të Komiteteve, shumë sekretarë dhe shumë zëvendësdrejtorë. -Zëvendësdrejtorët ishin shumë shqiptarë, në ndarjen e pushtetit në parim nacional nga partia e pushteti popullor.
Me kohë u muar vesh se vrasësit ishin shqiptarë dhe për më keq shumica e tyre nuk merreshin fare nga pushteti. Një sekretar nga Gjakova kishte folë në besim se këto vrasje po i bënte shërbimi i sigurimit të shtetit nga Qendra, jashtë suazave politike të përditshme dhe jashtë konceptit politik që mbulonte Kosovën.
Ata që vritnin ishin shumë, dhe këtë po e bënin për shkak të ngritjes në pushtetin popullor. Vrasja kishte qenë gjithmonë biznes politik më i preferuari. Këta dorasit e rinjë po e bënin këtë që më vonë të përbënin shtresën e re të sundimit në pushtetin popullor lokal, e me bekim nga Qendra.
Ishte koha ajo e mbylljes, netëve pa gjumë e me rroba veshë gjithmonë, në pritje të radhës dhe shpresës për shpëtim. Pritje trokitja në derë. Trokitja në derë donte të thoshte vdekje.
Nuk kishte askush që mund të mbronte dikend. Thjeshtë kur trokitej në derë, merrej dikush dhe ai që merrej më nuk kthehej. Kjo ishte OZN –a famkeqe. Tek ta nuk kishte hetuesi dhe llafe. Thirrja ishte vrasje o në rast të rrallë dërgim në Goli Otok a si ai ndonjë tjetër ndokund.
Ndërkaq Partia njësoj si gjithmonë në mbledhjet e veta të rregullta përkrahte popullatën vendore, e ndihmonte, e këshillonte, si dhe u ndante shpesh ushqime nga kooperativa!…
Gjithmonë paska qenë një dorë njerëzish vendorë që kanë gjetur veten në çdo pushtet sundimi të të huajve. Edhe në atë pushtet popullor jugosllav ishte një dorë që jetuan një jetë me plot të mira dhe në paqë e siguri! Shqiptarë ishin edhe ata dhe të një mesi e gjaku, e fisi, porqë jetuan jetë me të gjitha të mirat, dhe kjo përmendet edhe tash! Ishin në shërbim të pushtetit me të gjitha mënyrat dhe pse ishin shqiptarë nuk patën kurrë asnjë pasojë! Punë e mençme apo jo, edhe tash vështirë të gjykohet nga njerëzit.
Po përkujtoj vetëm çastet kur kishte nisur Aksioni i Armëve!…Kur kishin ndërruar në çast sjellja, njerëzia, njohësia, miqësia, fqinjësia!…
Tregonte baba se,… kur kishte shkuar atë mëngjes të ftoft në punë në Zhegër, para zyrës së vendit e kishte pritë Bora kryeshefi dhe ia kishte kërkuar nga larg pushkën. Vëlla i kishte thënë babës gjithmonë ky Bora, por kur erdhi aksioni!…
Pastaj Aksioni përfshiu të gjithë. Nuk la pa prekë as ata sugarët e pushtetit, as anëtarët e pushtetit, as të njofshmit, as të ligjshmit. Babën e kishte shpëtuar komandiri i milicisë Januz Haliti, pasi kishin qenë edhe kumbarë.
Po krejt në rregull kjo puna e pushtetit dhe ligjit, -por në thelb gjithë ajo që tha Partia për këtë aksion, nuk doli. Doli një furi e tmerrshme ndaj të gjithë shqiptarëve, me përpjekje për ti zhbirë, pa dallim. Për të satën herë u përsërit e njëjta lojë e kobshme ndaj shqiptarëve.
Në Shënimet –shkrime me pendë në ato kohë të prindit gjeta edhe një ngjarje me përshkrim…Gjatë gjithë kohës së këtij aksioni njerëzit vdisnin më së shumti nga të ftohtit. I linin zdathë e zdeshë jashtë në dimër gjithë natën. Pak kush mundi ti shpëtojë kësaj torture. Pas kësaj ishte për vdekje rrahja sistematike. Pas rrahjes kësaj ishte uria. Kurse mbi të gjitha ishte çrregullimi i shëndetit që pasonte pas rraskapitjes. Kishte raste por kur dikush kundërshtonte haptas dhe fliste në vend publik e protestonte për këtë. Këta pushteti popullor i merrte dhe i shkatërronte plotësisht. Sot u ka mbetë rrem të moçmëve që nuk guxojnë të flasin as të duan atdheun e veten, -dhe përkundrazi mendojnë vetëm keq e më keq. -Kështu mendohej asokohe për veten, për të shpëtuar kryet.
Më e mira ishte asokohe të ikej. Me mijëra kalonin në Maqedoni, po pasi edhe atje ishte e njëjta gjendje, shkonin tujte për Greqi, e prej aty, në Turqi. “Bullgaria nuk lejonte kalimin në emër të vëllazërimit proletar ndërkombëtar.
Në ndërkohë ishte nisur për Kosovë një delegacion i huaj në përbërje të ndryshme, për të vrojtuar vetë gjendjen në Kosovë. Diçka kishte kaluar murin e vdekjes së pushtetit dhe kishte arritë në botë për të vërtetën.
Ata të huajtë kishin udhëtuar me tren nëpër gjithë tokat jugosllave atëherë, deri në Merdarë. Pasi kishin kaluar kufirin e Kosovës, kishin krisur armët drejt trenit.Milicia popullore kishte dhënë urdhër që të binin të gjithë përtokë. Kështu në këtë gjendje të shtrirë gjithë personeli i huaj dhe udhëtarët vendorë, që shumica kishin qenë agjentë të pushtetit popullor, kishin ndejë deri në Kaqanik.
Edhe disa herë gjatë udhëtimit kishin krisur armët,…dhe milicia kishte mbrojtur me “sukses” personelin e huaj dhe udhëtarët…Kur kishin kaluar Kaqanikun, milicia kishte dhënë urdhër të liroheshin, sepse “kishte kaluar rreziku nga shqiptarët” -siç u kishin thënë ata të huajve.
Kjo i kishte hedhë pamje shumë të keqe popullit shqiptar sikur tani dhe këtë sekretarët e theksonin veçmas në mbledhjet. Njerëzit kritikonin, lanin e shpërlanin veten, dënonin këtë akt të turpshëm, por kurrsesi të pastroheshin. Po me këtë akt edhe Bashkësia Ndërkombëtare heshti gjatë gjithë kohës së aksionit të armëve dhe për shqiptarët nuk u gjend kund një mik.
…Pastaj!?!…Kaloi aksioni i armëve, erdhi Plenumi i Katërtë i Brioneve ku Tito dënoi Rankoviqin dhe e hoqi nga skena politike përgjithmonë, me çka u kthy besimi dhe vëllazërim –bashkimi i kombeve të vendit me shqiptarët. U ndal ndekja e madhe dhe u ulën gjakrat, u falën të gjitha krimet dhe u hoq njolla e mbamendja për të kaluarën, me kusht si thonin që mos të përsëritej më kurrë!?!…
Duhej që shqiptarët të falnin dhe të mos përmendnin asgjë nga të ndodhurat e tmerrit. Ne ishim të njohur për falje gjithmonë dhe kjo falja, me besën hynte ndër lartësitë fisnike të shqiptarëve që nuk i kishte asnjë popull tjetër.
Llaf po bëjmë, se tybe gjë s’mund të bëjmë! – Ja edhe tani, -qeveria serbe po bën gjykatën speciale për Kosovën dhe njësoj po përsëritet e njëjta gjë.
Atëherë qeveritarët serbë e bënë atë dhe ia dorëzuan në zbatim qeverisë jugosllave të popujve, që mos të shkonte në emër të tyre drejtpërdrejt. Njësoj edhe tani, gjykatën speciale Serbia ia dorëzoi Bashkësisë Ndërkombëtare dhe UN e pranoi dhe kërkon të bëhet kjo gjykatë me çdo kusht.
Edhe atëherë ato gjykata speciale i pranoi Kuvendi i Kosovës edhepse kishte mjaft rezistencë edhe nga vetë krerët shqiptarë. Tani Kuvendi herën këtë të parën nuk e pranoi këtë gjykatë, por ndërkombëtarët kërkojnë që Kuvendi ta pranojë patjetër. “E pranove –s’e pranove”, -ajo do të bëhet me dhunë.
Ja, njësoj, me gjithçka përputhet koha me kohë. -Sigurisht se edhe do të bëhet gjykata, -sikur që bëheshin atëherë, sepse e kërkon qeveria serbe, sikur kërkon edhe tani. Këtu s’ka fjalë, sikur që nuk pati as atëherë.
Por ka një dallim, veçse! Se atëherë ishte dhuna pakufi e pushtetit serb në Kosovë mbi shqiptarët nën pushtetin “jugosllav”, mbuluar me velin e pushtetit të drejtë, vëllazëror e human, -kurse tani kjo dhunë po vjen prej serbëve nën mbrojtjen e “ndërkombëtarëve”
Po, do të kalojë edhe kjo!…/2L ONLINE/
