Aksion për vjeljen e mollëve për nxënësit e shkollave me mësim tërëditor
Me organizimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), në Komunën e Kamenicës, është zhvilluar aksioni i vjeljes së mollëve në plantacionin e Naim Huruglicës. Në këtë aktivitet morën pjesë nxënësit dhe stafi i SHMLM “Sejdi Kryeziu” dhe IAAP “Andrea Durrsaku”.
Aksionit iu bashkua edhe drejtori i DKA-së, Selami Klaiqi, i cili, së bashku me stafin e tij, kontribuoi në realizimin e kësaj nisme në shërbim të nxënësve.
Mollët e vjelura do të grumbullohen në Kuzhinën Qendrore dhe më pas do të shpërndahen në shkollat që ofrojnë mësim tërëditor. Kjo nismë synon të sigurojë fruta të freskëta për nxënësit duke ndikuar në përmirësimin e ushqyerjes dhe mirëqenies së tyre.
Ky aktivitet dëshmon përkushtimin e Drejtorisë Komunale të Arsimit për mbështetjen e nxënësve dhe institucioneve arsimore, si dhe për nxitjen e bashkëpunimit me komunitetin, në funksion të krijimit të një mjedisi më të mirë dhe më të shëndetshëm për fëmijët. /2LONLINE/
