Aksion për pastrimin e lagjes “Reshat Ymeri”

Aksion për pastrimin e lagjes “Reshat Ymeri”

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, me përfaqësuesit e lagjes dhe banorët kanë nisur sot në mëngjes pastrimin e lagjes “Reshat Ymeri”, e cila ishte me një pamje të dhimbshme siç e ka quajtur ai, për shkak se përpos mbeturinave të shumta ishte degraduar në masë të madhe edhe lumi në këtë lagje.

“Pamje e rëndë ajo që shohim është e dhimbshme dhe shqetësuese jo vetëm për këta banorë, por për gjithë qytetin. Apelojmë për respektim të natyrës dhe lumenjve, të rrugëve e trotuareve, sepse jemi të gjithë së bashku që i shfrytëzojmë këto hapësira. Nuk kisha dëshiruar ta shohë këtë pamje në asnjë vend të Kosovës”, ka thënë nënkryetari Ismajli.

Ai ka konfirmuar punën aktive të inspektorëve në terren dhe ka bërë të ditur se do të ketë gjoba mandatore për të gjithë ata që ndotin ambientin.

“Të gjithë ata që dëshirojnë të ndërtojnë në Gjilan këtë mund ta bëjnë, por në asnjë mënyrë nuk mund të lejojmë degradimin e ambientit. Zero tolerancë ndaj të gjithë atyre që vazhdojnë ndotjen e natyrës. Ashtu siç i ruani dhe i mbroni oborret tuaja kujdesuni edhe për ambientin dhe hapësirën publike”, ka përfunduar ai.

Në emër të kësaj lagje, ka folur Albin Devaja i cili ka falënderuar nënkryetarin për angazhimin, duke spikatur angazhimin e të gjithë banorëve në periudha të ndryshme kohore, për ta mirëmbajtur si duhet ambientin.

KOMENTE