/2L ONLINE/ – Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në fabrikën e tullave ”Borovci” në fshatin Crep, Komuna Ranillug, ka ndodhë një incident i rëndë, ku njëri nga punëtorët mirëmbajtës i makinave në këtë fabrikë SH. A. (1976) ka pësuar lëndime të rënda trupore, ku ka humbur dorën e djathtë. Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka thënë se për shkak të lëndimeve të rënda është transportuar me urgjencë për në QKU- Prishtinë.
“Sipas hetimeve të para në vendin e ngjarjes dhe dëshmitarëve okular dyshohet se viktima nga pakujdesia duke punuar në njërën nga makinat e fabrikës kishte marrë lëndime në krah, dhe si pasojë e goditjes nga makina i u kishte këputur krahu”, ka thënë Hashani.
Sipas tij, viktima ishte transportuar në spitalin e Gjilanit e më pas edhe në QKUK në Prishtinë dhe sipas informatave viktima është jashtë rrezikut për jetë.
“Njësitet e Policisë së Kosovës nga hetimet rajonale kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe në vijim do të zhvillohen intervista me dëshmitarët e rastit. Me gjitha veprimet lidhur me këtë rast të rëndë është njoftuar Prokurori i shtetit”, thotë zëdhënësi ismet Hashani. /2L ONLINE/