DYLON

AKR do që ngërçin ta zgjidhin zgjedhjet

Avatar photo Redaksia

Nënkryetari i AKR-së, Dardan Gashi, ka thënë se partitë politike për interesa krejtësisht personale janë duke vazhduar krizën institucionale në vend. Ai në një intervistë për gazetën Tribuna ka thënë se ilaçi i vetëm për të tejkaluar këtë ngërç janë zgjedhjet e reja, e të cilat do të bënin edhe njëherë subjektin e tij politik AKR-në, pjesë të skenës politike në vend.

“Po të ishte AKR në Kuvend, ngërçi politik nuk do të ekzistonte fare. Ne për afër 1000 vota kemi dështuar të hyjmë në Kuvend, duke pasur parasysh edhe manipulimet e shumta që kanë ndodhur. I është bërë një dëm edhe AKR-së edhe skenës politike. Për këtë arsye mendojmë që do të duhej të kishte zgjedhje në mënyrë që të kompletohet skena politike me AKR-në dhe të fillojë ndërtimi i institucioneve”, ka thënë ministri Dardan Gashi, i cili u bë pjesë e partisë së Behgjet Pacollit pak kohë parazgjedhjeve të fundit. Deri atëherë ishte njëri nga themeluesit e Listës Rugova.

EkoHigjiena

Madje ai vlerëson se sikur AKR-ja të ishte parti parlamentare, Kosova nuk do ta përjetonte këtë krizë, dhe se vendi tashmë do të ishte me institucione të besueshme. Për Gashin AKR-ja ka pasur ministrat më të pastër në Qeverinë Thaçi, por kjo nuk është reflektuar te votuesit, të cilët nuk i dhanë besimin këtij subjekti për të qenë pjesë e legjislaturës së pestë të pasluftës në Kosovë.