AKK: Komunat nuk mund të fajësohen për situatën aktuale rreth trajtimit të qenve endacak
/2L ONLINE/ – Këshilli i Kryetarëve të Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka zhvilluar një takim ku u diskutua për trajtimin e problemit të qenve endacak. Kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti duke prezantuar gjendjen në këtë komunë si alarmante me shtimin e qenve endacak që po rrezikojnë jetën e qytetarëve, posaçërisht nxënësve e fëmijëve, ka potencuar nevojën që të ndërmerren masa në këtë drejtim.
Në këtë takim ku të pranishëm ishin edhe drejtori i Agjencisë veterinare të ushqimit Valdet Gjinovci dhe Shaban Gallopeni drejtor i Departamentit të Shëndetit të kafshëve, u tha se komunat nuk kanë buxhet të mjaftueshëm për të ndërmarrë masa në eliminimin e qenve endacak, apo kapjen e tyre pasi që ekziston një kosto e kushtueshme për komunat.
Në këtë takim u konkludua që:
1. Situata në komunat e Kosovës është alarmante me tendencë të përkeqësimit edhe të mëtutjeshëm gjatë sezonit të dimrit.
2. Nevojiten hapa praktik e në parandalimin e kësaj situate.
3. Komunat kërkojnë përkrahje financiere nga niveli qendror në këtë aspekt e jo vetëm përkrahje morale.
4. Komunat nuk mund të fajësohen për situatën aktuale rreth trajtimit të qenve endacak sepse edhe niveli qendror duhet të jetë më I përkushtuar sa I përket kësaj situate.
5. Qeveria e Kosovës duhet të ndjekë situatën me shumë vëmendje dhe të fillojë të mendojë për krijimin e një fondi të veçantë për trajtimin e këtij fenomeni
6. Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Komunat duhet të fillojnë me masa të menjëhershme në parandalimin dhe eliminimin e dukurive të cilat mund të sjellin edhe humbje të jetëve të qytetarëve të Kosovës ashtu siç kanë ndodhur viteve të kaluara.
7. Këto masa duhet të ndërmerren sa më shpejt që është e mundur e jo të pritet deri në fillimin e dimrit ku vlerësohet që qentë endacak mund të jenë shumë më të rrezikshme për jetën e qytetarëve e në veçanti të fëmijëve.
8. Në planin afat mesën, komunat kërkojnë që të krijohet një mekanizëm ndër-institucional i nivelit qendror dhe atij lokal për trajtimin e këtij fenomeni
9. Kërkohet të rishqyrtohet legjislacioni që ka të bëjë me trajtimin e qenve endacak
10. Kryetarët konstatuan që nuk kanë burime financiere që të ndërtojnë qendra të strehimit ku do të trajtoheshin qenët endacak sepse kostoja financiere është shumë e lartë dhe e papërballueshme për komunat (70 EUR për një qen brenda 10 ditëve duhet të harxhohen në një qendër strehimi për qentë endacak).
Gjithashtu, në planin afat gjatë kjo zgjidhje nuk është e mundur për komunat e Kosovës bazuar në buxhetet komunale dhe përvojat e mëhershme të komunave rreth trajtimit të qenve endacak. /2L ONLINE/
