Prokuroritë Themelore dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se Agjencia Kundër Korrupsionit gjatë 9 mujorit të parë të vitit të kaluar ka parashtruar 49 kallëzime penale, me gjithsej 129 persona.
Nga kallëzimet e parashtruara nga AKK-ja, gjatë periudhës për të cilën raportohet, janë zgjidhur gjithsej 20 kallëzime penale, me gjithsej 50 persona.
Rastet e 50 personave, të cilat janë zgjedhur gjatë periudhës raportuese kanë përfunduar në këtë mënyrë:
“Kundër 7 personave është hedhur kallëzimi penal, kundër 21 personave kanë pushuar hetimet, 4 personave i është ngritur propozim akuzë për dhënien e urdhrit ndëshkimor, kundër 16 personave është ngritur aktakuzë pas hetimit, dhe ndaj 2 personave është ngritur aktakuzë e drejtpërdrejtë”, thonë zyrtarët e Kryeprokurorisë së Kosovës në një përgjigje përmes postës elektronike.
Agjencia Kundër Korrupsionit, që nga viti 2008, e deri në nëntë mujorin e parë te vitit 2013 në prokurori ka dorëzuar 124 kallëzime penale.(REL)