Akademik i paditur apo…?!
/Nuk është faj i madh të mos e dish të vërtetën, por është faj i madh ta injorosh pasi ta kesh mësuar – Arabe/
Shkruan: Ismajl Kurteshi
/2L ONLINE/ – Kur (me 23 dhjetor, në ditën e shpalljes së marrëveshjes për “Zajednicën”, antikushtetuese nga ana e Gjykatës Kushtetuese), gazetarët e pyetën Kryeministrin e Kosovës, akademik Isa Mustafën, nëse në momentin kur e ka nënshkruar marrëveshjen me 25 gusht në Bruksel, e ka ditur se po e shkel Kushtetutën, ai është përgjigjur: Jo nuk e kam ditur!?
A është e mundur që akademiku që njëkohësisht është edhe Kryeministri i Kosovës, të mos e ketë qenë i vetëdijshëm se çka po nënshkruan? Nëse ai vërtet në atë moment nuk e ka ditur se e ka shkel kushtetutën; ai duhet ta ketë ditur se për çështjet që nuk i din duhet të këshillohet me ata që i njohin ato çështje. Në fund të fundit ai ka angazhuar shumë këshilltarë, që paguhen nga Buxheti i Kosovës, me të cilët ai do të duhej të konsultohet. Nuk është për t’i besuar nëse Kryeministri thotë se nuk e ka ditur që duhet të konsultohet me këshilltarët e tij ose se edhe këshilltarët nuk e kanë ditur me 25 gusht se Marrëveshja e ofruar për nënshkrim cenon Kushtetutën e Vendit.
Nuk mund të imagjinohet se akademiku nuk e ka ditur, se në kabinetin e tij janë dy ministra që kanë marr pjesë në hartimin e Kushtetutës, dhe se për çështje që nuk i ka ditur është dashur të konsultohet edhe me ata.
Kryeministri edhe pse me përvojë të gjatë politike, në sistemin monist, duhet ta ketë ditur se edhe në pluralizmin, me elemente të fuqishme autoritare si ky i joni, për çështje të rëndësisë së veçanet, si “Zajednica” dhe demarkacioni, duhet arritur konsensus me opozitën, shoqërinë civile dhe ekspertët e fushës, sepse nuk mjafton vetëm konsultimi me ndërmjetësuesit (lehtësuesit), të cilët kanë për qëllim arritjen e marrëveshjeve, por jo edhe arritjen e zgjidhjeve të drejta, sepse angazhimi për zgjidhje të drejt ju takon palëve që janë në bisedime e jo ndërmjetësuesve.
Kryeministri, edhe tani kur Gjykata Kushtetuese, i ka bërë publike shkeljet, kur ka konstatuar se marrëveshja për “Zajednicën” bie ndesh me Kushtetutën në të gjithë kapitujt e saj. Kur është thënë se marrëveshja është posaçërisht në shpërputhje me nenet: 3, 7, 12, në kapitullin ll (për të drejtat dhe lirit themelore) nenet: 21 dhe 44. Në kapitulli lll, të drejtat e komuniteteve dhe të pjesëtarëve të tyre, nenet: 57, 59, 60, 61, 62, 79, 81, 93, 101, 113, 123, 124 dhe 137 të Kushtetutës, nuk po pranon me e tërheq marrëveshjen. Ai po premton se shkeljet e Kushtetutës do t’i korrigjoj përmes dekretit të tij dhe statutit, që do ta hartojnë përfaqësuesit e komunave që do të bëhen pjesë e “zajednicës”. Kryeministri nuk po e kupton se këto dokrra nuk mund t’ia shet askujt, ai po ashtu nuk po e kupton:
– Se Kosova nuk mund të udhëhiqet nga të paditurit ose të papërgjegjshmit, ose…, si që është Kryeministri – akademik dhe pasuesit e tij që preokupim e kanë vetëm fotelën e tyre.
–
Se marrëveshja për “zajednicën” pas deklarimit të Gjykatës Kushtetuese është e vdekur,
– Se ata që nuk din ose nuk munden me i mbrojte interesat e vendit nuk mund ta përfaqësojnë vendin as jashtë as brenda dhe as ta udhëheqin atë.
–
Se ata që e shkelin Kushtetutën me hir ose me pahir duhet të shkojnë sa më par, pra të japin dorëheqje.
– Kryeministri në përpjekje për ta shpëtuar fotelën e tij, tani kur shpëtim i vetëm është dorëheqja, po deklaron se opozita nuk e ka përkrahjen e qytetarëve. Kështu Kryeministri po i injoron 205.000 nënshkruesit e peticionit, gjithë atë masë të pjesëmarrësve në manifestimin e 28 nëntorit, që kërkonin tërheqjen e Marrëveshjes për “zajednicën” dhe demarkacionin. Ai po e injoron edhe protestën e 9 janarit ku qytetarët e përvetësuan kërkesën e opozitës për dorëheqjen e Kryeministrit dhe Qeverisë që ai udhëheq.
Sado i paditur apo kokëfortë që është Kryeministri, sado që këshilltarët e tij e këshillojnë keq, ai duhet më në fund ta kuptojë, se Kosova nuk është pashallëk i tij dhe se pas shkeljes së Kushtetutës, Kryeministrit i ka mbetur vetëm një rrugë, ajo e dorëheqjes, që duhet të ndodh sa më parë, për t’i hapin rrugë zgjedhjeve të parakohshme dhe pastaj vendit t’i kthehet normaliteti.
/autori është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje/
