Ajo që ende jeton brenda teje jam, cikël poetik nga Albunita Kadriu
ALBUNITA KADRIU
AJO QË ENDE JETON MBRENDA TEJE JAM
(cikël poetik)
ASGJË NUK MBETI NË MUA POS SYVE TË TU
Shpirtit tënd të shfajësuar digjem
deri në shuarje
e ti s’e zgjatë dorën
qenies sime të djegur
për t’ia dhënë veç një fije të hollë shprese.
Befas ngrihem nga një morg,
lundër e fjalës së një ëndrreje të shuar
si e vetmja dashuri
që (s) u kthye në urrejtje.
U zgjove i vargullt
si një i dëshpëruar,
duke gërmuar
faljen që s’humbet
Dita zbardh
mbi ëndrrat e fshehura të natës
shtëpisë vetmitare të zemrës
loti i bëhet det
Asaj hapësire të heshtur
faji përfton si hije
vrerit të pa zbrazur
që as koha s’e tretë
Asgjë nuk mbeti në mua
pos Syve të tu
PARA TJETRËS ËNDËRR
Më kërko në heshtjen e mbrëmjes,
kur dita bie ngadalë mbi supet e tua,
e rruga për në shtëpi bëhet më e gjatë
sa më shumë t’i afrohesh
Çdo ditë që sheh diellin
fytyren time të çiltër kujto
Nuk mund as të imagjinoj
se si ndihesh pa mua,
kur as në ditën tënde më të lumtur
afër teje s’jam
Para të bardhës ditë ku do të fshihesh
në nepsin e dëshirës për t’i parë sytë e mi
apo në plagën e hapur të zemrës
që ende kullon gjak
Të kam thënë
është vija e fundit e rrugëtimit tënd
drejtë asaj që e pate
Po deshe
ruaje vetëm atë tufë kujtimesh
jo për t’u kthyer sërish te pragu i portës
po për t’u kthejllur para tjetrës ëndërr
NË MAJE TË ÇUKËS
Mes dy çukave gjelbrimi
Nje betim ma dhe mua
e vetes
në Maje të Çukes,
Me shpirt m’i puthje çukat në faqe
çmendurisht të besoja
as shihja
as kthehesha
Petalet e lules së Çukës
e dijnë më së miri sa te desha
E hi u bë Thana
me duart tona mbjellur
Hi u bënë fjalët
kujtimet
Mbeti vetëm ai Gurë
ku shkrova letrën e mbramë
që e përpiu ai krah lumi
Në Maje të Çukës
nuk fle më as nata
STREHA KU TI KTHEHESH
Mbaje ngrohtësinë tënde mbi mua
edhe kur dua të ik
edhe kur të shtyj larg
e të them me zë të lartë, “të urrej”
Më duaj pa e pasur asnjë arsye që ta bësh
më kërko sa herë që “zhdukem” prej teje
nuhat aromën time edhe kur s’më ke pranë
Dua të jetoj në ty, me ty e për ty
për ta kthyer çdo ëndërr në dashuri
lumturisë së braktisur t’ia kthej buzëqeshjen
mallkimet t’i shndërroj në lutje e në bekim
Dua të jem streha ku ti gjithmonë kthehesh
pa ndrojtje
falë ëndjes që m’yshtë dhe mua
Jam zëri që të thërret në heshtje
ajo që ende jeton brenda teje
____________________
Shënime për autoren
Poetja e re nga Gjilani, Albunitë Kadriu, ka mbaruar studimet e shkallës së parë Bachellor në Komunikimin Masiv – Dega gazetari dhe tash ka vazhduar masterin. Me shkrime dhe veprimtari kulturore ( drejtuese e ngarjeve festive, koncerteve e përurimeve) merret që nga shkolla e mesme. Por, ajo që i fle më shumë në shpirt, është poezia … ku prirja dhe përkushtimi ndaj saj, diken mirëfilli.
/”AGMIA” revistë letrare-kulturore/
