DYLON

Ai nuk mund të mohohet!

Avatar photo Redaksia

(Për publicistin, mendimtarin e veprimtarin Veton Surroi)

Shkruan: Nexhat BUZUKU

EkoHigjiena

(2L ONLINE) – Për të tejkaluar bllokadën absurde politike, partitë politike parlamentare, shoqëria civile duhet të arijnë marrëveshje që pjesë kyçe e proceseve politike dhe e krijimit të institucioneve të reja të Kosovës të jetë publicisti, veprimtari dhe kreatori i mendimit të lirë në Kosovë dhe përtej kufijve të saj, z. Veton Surroi. Kontributi dhe pesha politike vlerore e Surroit është përtej partive politike, është shumë përtej mendimit të ngurtë e pa frymë kreative të skenës aktuale politike. Prandaj, z. Surroi do të ishte një frymëmarrje dhe një gjallërim i politikës që po torturon qytetarët prej muajsh me paaftësinë për të krijuar institucione kredibile, të qëndrueshme dhe funksionale. Që qytetari të mos jetojë si hije në vendin e tij, duke ëndërruar një tokë të huaj, por t’i kthehet shpresa e besimi për të jetuar në tokën dhe atdheun e vet. Sepse, Kosova nuk është vend vetëm i një grushti njerëzish të politikës, çfarëdo që të kenë qenë ata. Kosova duhet t’u kthehet qytetarëve, atyre që janë të privuar nga klasa aktuale politike për ta gëzuar e bërë jetën normale dhe me dinjitet këtu. A ka një njeri që mund të ndihmojë në këtë rreth vicioz, për të dal nga ai?

A ka një njeri që ka kontribuar më shumë për mendimin e lirë, për shtypin e lirë dhe jokonformist? Secili që ka mendim të arsyeshëm logjik nuk do ta mohonte të vërtetën, e cila ka në përmbajtjen e vet një njeri me kredo, me personalitet, një njeri me idealitet pragmatik, në pikëpamje teorike e në veprime praktike. Një njeri të mendimit krijues kritik, siç është z. Veton Surroi.

Z.Surroi dallon nga të tjerët, dhe ky dallim është i natyrshëm, i logjikshëm për një njeri me mënyrën e të menduar ndryshe, jo skajshmërisht me qëndrime oportune, ka mënyrën e të menduarit kritik, kreativ dhe praktik. A duhet për këtë format të identitetit dhe personalitetit krijues-kritik që ka ta mohojmë, neglizhojmë, ta fyejmë, linçojmë e ta shpallim antikombëtar?! Kush e ka këtë licencë, a ka të tillë, që Vetonin e shpall non grata (i padëshirueshëm në tokën e vet, në atdheun e tij). Z. Surroin e njeh fort mirë opinioni publik i brendshëm dhe ai i jashtëm. Bile, qytetaria ka shumë respekt dhe simpati për Vetonin, ndërsa ajo që dikush e lidh me një ish-subjekt politik, tashmë të shuar, nuk e përcakton vlerën dhe peshën intelektuale edhe politike të z.Surroi, si një njeri opsional, me vizion dhe koncept të qartë e të formësuar politik e diplomatik.

Mirëpo, ndaj tij me ngulm është krijuar artificialisht një opinion (pjesërisht) negativ, ashtu siç jemi të prirur së pari të lavdërojmë e pastaj t’i urrejmë e t’i shpallim të tillë e të atillë.

Pak histori për veprimtarinë e Vetonit, e cila botërisht, saktësisht, esencialisht vërteton dhe dëshmon njeriun me rezon, me aftësi të jashtëzakonshme komunikimi, të artikulimit të mendimit të lirë, jo vetëm për momentin por në pista të perspektivës. Një njeri me logjikë të mprehtë mendimi, vlerësimi e gjykimi të ngjarjeve, zhvillimeve, rrethanave, momenteve. Një njeri me vizion, që percepton saktë dhe në mënyrë analitike edhe përtej momentit.

Të kthehem aty ku paralajmërova, sepse ky edhe është lajtmotivi i asaj që përbën jo vetëm një syzhe ose sogjetim, por atë pragmatizmin e z. Surroi, në piketimin e çastit që mund të jetë përcaktues i një zhvillimi vijues.

Z. Surroi ka redaktuar njërën prej rubrikave më të guximshme në të përditshmen e atëhershme “Rilindja”, në mes viteve 1984-1990. Rubrika botohej në faqen 2 të gazetës, dhe ajo faqe ishte kthyer në arenë të mendimit kritik ndaj masave të regjimit të Beogradit që bëheshin ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Gjenerata e asaj kohe duhet të flas e të tregojë për punën e njerëzve të guximshëm, dhe jo të heshtë, sikur çdo gjë ka lindur sot. E kush do ta vënte në thumb të kritikës politikën diferencuese, denigruese e shtypëse të regjimit shovenist të Beogradit. Ishte Veton Surroi zotëriu që e bëri atëherë reagimin, kundërshtimin, hapur, në gazetën ditore “Rilindja”, kundër politikës shtypëse. Aty janë botuar shkrime të guximshme të veprimtarëve e qytetarëve të Kosovës, që herë mes rreshtash e herë hapur demaskonin regjimin serb.

Edhe veprimtaritë e mëvonshme kanë pasur të njëjtin objektiv, synim e qëllim: Të thuhej e vërteta tjetër që po e ndërtonte Vetoni, duke demantuar propagandën e fuqishme të Beogradit karshi faktorit ndërkombëtar. Dhjetëra konferenca shtypi, po aq debate, dhjetëra deklarata e komunikata kundër arrestimeve, burgosjeve e dënimeve.

Tjetër, Vetoni bëri degën e UJDI-it në Kosovë, një organizatë alternative demokratike në Jugosllavinë e atëhershme, sepse kjo ishte një mundësi që Vetoni ta thoshte mendimin dhe të prezantonte gjendjen në Kosovë. Vetoni ose duhej të kyçej në komitetet e atëhershme, e që as ka dashur as nuk e kanë dashur, ose të gjente një rrugë tjetër, një hapësirë për ta shpërfaqur e për ta përçuar pozitën e rëndë të shqiptarëve në Kosovë. E kjo ishte pikërisht ajo alternativë demokratike, një hapësirë tjetër në hapësirën që mungonte për mendim ndryshe. Prandaj, janë linçuese, janë konstruksione, janë denigruese akuzat inatçore ndaj Vetonit në raport me UJDI, sepse janë plotësisht në kundërshtim me synimet, qëllimet dhe vizionin e Vetonit që kishte ndërtuar e projektuar ai si një rrugë e ngushte por e domosdoshme në atë kohë për të arritur përmes kësaj iniciative demokratike. Janë qesharake deklarimet e akëcilit sot se Vetoni synonte vazhdimin e bashkëjetesës në federatëN jugosllave, kur ai saktësisht e kishte përceptuar se kjo federatë shkonte drejt fundit të saj. Duhet pranuar se pozicioni i Kosovës ishte i paqartë dhe i mjegullt, dhe pa njerëzit e guximshëm dhe rezistencën politike dhe funksionalitetin paralel të institucioneve, sidomos të aksionit për pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave në Kosovë, organizimin paralel të sistemit arsimor, të këshillave dhe institucioneve tjera, rolin e jashtëzakonshëm në ndihmë popullatës me ushqime e veshmbathje, dhe shtytësi, organizatori dhe promotori i tyre – Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ishte lëvizje politike e tërë popullit të Kosovës, ku të gjithë ishim aty. LDK atëherë ishte shtëpi, ishte mburojë, dritare e çdo shtëpie. Dikujt mund të mos i pëlqejë, por ky është realiteti dhe kjo është historia e bërë që nuk mund të fshihet edhe nëse provohet të mohohet. Kjo ishte rruga, ky ishte realiteti.

Ditët, muajt e vitet që pasuan gjendja bëhej edhe më e rëndë, por edhe konsolidimi politik i rezistencës po rritej. Pas vitit 1990, për të instaluar mendimin kundërshtues ndaj status-quos dhe territ informativ, Vetoni nisi botimin e revistës “KOHA”, me rrjet korrespondentësh nga kryeqytet e Evropës dhe nga SHBA. Përmes kësaj reviste Vetoni po mobilizonte forcat intelektuale, gazetareske, publicistike e politike, duke ofruar një format dhe qasje kritike informative, me analiza, komente, reportazhe e informacione.

Zhvillimet dramatike në Bosnje e Hercegovinë, Kroaci, ishin një paralajmërim se trumbeta e luftës po zbriste në Kosovë.

Vetoni themeloi të përditshmen “Koha Ditore”, e cila nisi botimin me 31 mars 1997, me gazetarë e korrespondentë gjithandej Kosovës, në Ulqin, Luginë të Preshevës, Tiranë dhe në kryeqytetet evropiane dhe në SHBA. “Koha Ditore” rrufeshëm u bë zëri i informimit qytetar, të pavarur, të guximshëm dhe kritik, duke informuar për çdo detaj të veprimit dhunues të forcave serbe në Kosovë, dhe duke prezantuar e artikuluar aktivitetin politik, jo vetëm në degët partiake, por edhe në nëndegë dhe aktive, arsimin shqip – shtëpitë shkolla, aktivitetin e Shoqatës Bëmirëse Humanitare “Nëna Terezë” nëpër komuna të Kosovës, lëvizjen e forcave e trupave serbe, arrestimet, rrahjet e keqtrajtimet. Të gjitha këto i pasqyroi “Koha Ditore”, prandaj janë absurde, të palogjikshme dhe pa kripë ato që thuhen nga ndonjë individ se “Koha Ditore” ishte një projekt kundër atij apo këtij. Përkundrazi, “Koha Ditore” ishte zëri i vërtet i Kosovës brenda dhe në nivel global, duke artikuluar e përçuar të vërtetën gjithandej Evropës dhe SHBA-së.

Nuk më kujtohet tirazhi, por gazeta lexohej masivisht, dhe pothuaj në çdo shtëpi.

Paraqitja e UÇK-së e gjeti të përditshmen “Koha Ditore” në krye të detyrës dhe në kulmin e informimit për atë çfarë po ndodhte në Kosovë, duke raportuar nga vendi i ngjarjes. Askush sa “Koha Ditore” nuk ka ndikuar e kontribuar që rezistenca e armatosur, pra UÇK-ja të pranohej nga faktori ndërkombëtar si partner për bisedime për të ardhmen e Kosovës. Nga selia e “Kohës Ditore” në Prishtinë kanë raportuar gazetarë të njohur të mediave botërore. Surroi ka pasur takime e biseda me njerëz më me influencë të jetës politike, diplomatike e mediatike të botës.

Me 1999 forcat serbe ndërhynë në objektin e gazetës, ndërsa vranë rojtarin dhe demoluan objektin. Gazeta pushoi së daluri gjatë bombardimeve, ndërsa vazhdoi në Tetovë, dhe pas përfundimit të luftës u rikthye dhe nisi të botohej si më parë.

Gazeta “Koha Ditore” ka pasur presione dhe kërcënime nga politika serbe, ndërsa gazetarët kanë qenë nën vëzhgim të përhershëm

Vetoni ishe pjesë e të gjitha bisedimeve për Kosovën.

Duke ndërprerë këtu kronologjinë e gjatë dhe në detaje të zhvillimeve të atëhershme e deri në ditët e sotme, që u thanë vetëm disa nga detajet, secili njeri që mendon racionalisht do pyeste, se përse po heshtet Veton Surroi. Ose: Pse po e heshtim Veton Surroin? Pse po harrohet kontributi i jashtëzakonshëm i këtij njeriu? Nuk mund t’i mohojmë ata që janë pjesë e ndërtimit të historisë më të re të Kosovës, që është vazhdimësi e dinamikës historike të këtij vendi, e nisur edhe më herët, që ka shumë personazhe e kryepersonazhe, personalitete dhe burra të qëndresës, të refuzimit dhe të politikës. Nuk mund të heshtet e mohohet kontributi i asnjërit që ka bërë për vendin.

Nuk mund t’i peshojmë njerëzit sipas tekeve, inateve politike e partiake, sipas koncepteve e stereotipeve lokaliste e patriarkale, nga prizmi i mentaliteteve fisnore të gardheve e bajraktarizmit. Vlerësimet për individin duhet të bëhen, qofshin edhe opinione personale, në bazë të fakteve, analizës së tyre dhe kontributeve të personit për të cilin flitet, shkruhet, ose japim gjykime e ndonjëherë edhe nxjerrim përfundime të pasakta, të pavërteta, tendencioze, edhe të konstruktuara mbi principe logjike të mohimit të asaj që nuk mund të mohohet.

Vlerën e një njeriu nuk e përcakton fuqia partiako-politike, as kallashnikovi në krah. Vlerat njerëzore krijohen dhe kanë shtrirje universale, i tejkalojnë kohët dhe hapësirat e ngushta.

Publicisti, veprimtari, krijuesi, analisti Veton Surroi, prandaj, është njeri i vlerave. Z.Surroi është personalitet politik e poliedrik i përmasave globale. Ai nuk mund të mohohet. /2L ONLINE/