Kryesit e krimeve të luftës në Serbi nuk duhet t’i ikin drejtësisë, ka thënë Amnesty International (AI) të martën.
Kjo deklaratë erdhi në kohën kur AI publikoi versionin në gjuhën serbe të një raporti, i cili fillimisht ishte publikuar në muajin qershor, në të cilin “analizoheshin problemet përbrenda sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Serbi”, si dhe identifikonte pengesat për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve në bazë të ligjit ndërkombëtar.
Brenga kryesore e AI-së është mungesa e progresit që është bërë që kur ky raport është publikuar. Në veçanti, Serbia ka dështuar “të hetojë zyrtarë të lartë ushtarakë e policorë” të përfshirë në krime lufte gjatë luftës së viteve 1998-99 në Kosovë.
AI ka propozuar një sërë masash për qeverinë serbe për t’i ndihmuar ata në luftimin e “mosndëshkimit të vazhdueshëm për krime sipas ligjit ndërkombëtar”.
John Dalhuisen, zëvendësdrejtori i AI-së për Evropë dhe Azi Qendrore, ka thënë se “progresi do të arrihet vetëm me një përkushtim nga ana e qeverisë së Serbisë për të implementuar masa konkrete për të siguruar drejtësi për të gjithë”.
Tensionet mbesin të larta në mes të Kosovës dhe Serbisë që kur Kosova shpalli pavarësinë, pjesërisht për shkak të refuzimit të Serbisë që ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.
Sipas AI-së, Misioni i OKB-së në Kosovë ka dështuar që të hetojë në mënyrë të duhur raportet për persona të zhdukur pas luftës së Kosovës me Serbinë në vitet 1998-1999. Një rezolutë e OKB-së e vitit 1999 kishte obliguar UNMIK-un që të mbronte dhe promovonte të drejtat e njeriut në Kosovë në pajtim me “standardet e njohura ndërkombëtarisht për të drejtat e njeriut”.
Bazuar në hulumtimin mbi 10 vjeçar dhe në mbi 150 ankesa, AI vlerëson se UNMIK-u në Kosovë “ka dështuar rëndë” që të hetojë përgjegjësinë potenciale kriminale, duke çuar kështu në një “klimë të mosndëshkimit” që ende vazhdon në Kosovë.
AI në këtë komunikatë për media thotë se me mijëra viktimave – përgjatë Bosnjës dhe Hercegovinë, Kroacisë e Kosovës – u është mohuar qasja në drejtësi. Një numër i vogël i viktimave kanë pranuar rimbursim apo kompensim për shkeljet që u janë bërë.
Të afërmit e personave të zhdukur ende janë duke pritur që të zbulojnë se kush është përgjegjës për vdekjen e të dashurve të tyre; gra dhe vajza që kanë përjetuar krime lufte të dhunës seksuale ende presin që kryesit e këtyre krimeve të sillen para drejtësisë.