Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk pranon të bëjë pazare me subjektet e tjera politike për të siguruar numrat e mjaftueshëm në Kuvendin Komunal. Ai kërkon bashkëpunim me të gjithë që janë të gatshëm të çojnë programin e tij përpara. Edhe në kabinetin e tij nuk premton se do të jetë i tëri nga anëtarë të lëvizjes “Vetëvendosje”.
Ahmeti në një intervistë për “Kohën Ditore” premton se Prishtinën do ta bëjë model të transparencës edhe për komunat e tjera.
Ahmeti ka thënë se është i hapur për bashkëpunim me secilin subjekt politik në Kuvendin Komunal të Prishtinës, por jo edhe për ndarjen e qeverisjes me ta. Për të nuk paraqet fakti se në Kuvendin Komunal të Prishtinës një subjekt tjetër ka shumicën e ulëseve. Ai është shprehur kundër pazareve politike me partitë e tjera në këmbim të drejtorive.
Ai është shprehur se ka përgjegjësi para qytetarit për programin që ka prezantuar, të cilin ka synim ta zbatojë brenda mandatit.
Qysh në ditën e parë Ahmeti ka thënë se do t’i ndalë ndërtimet pa leje, dhe gjithçka që nuk është sipas ligjit dhe rregullave do të ketë vendim për rrënim.
Gjatë mandatit të parë ai ka thënë se do ta përfundojë procesin e legalizimit të objekteve. Personat që janë nën hetime, sipas tij, nuk mund të ushtrojnë funksione publike. /Koha Ditore/