Ahmeti: Në Viti asnjë rast i mishit të dyshimtë nuk është hasur në këtë tremujor

Ahmeti: Në Viti asnjë rast i mishit të dyshimtë nuk është hasur në këtë tremujor

Drejtoria e Inspektoratit e komunës së Vitisë, përmes një konference për shtyp ka bërë të ditur aktivitetet që janë zhvilluar në këtë tre mujor.

Drejtori Skender Ahmeti ka thënë se po punohet sipas planit të paraparë për këtë vit, konform detyrave dhe përgjegjësive që i takojnë, ndërkohë ka vlerësuar lartë bashkëpunimin e mirë me Gjykatën në Viti dhe Policinë e Kosovës në marrjen e masave të nevojshme ndaj atyre që veprojnë kundërligjshëm.

“Jemi të përkushtuar që të parandalojmë ndotjen e ambientit dhe kemi marrë masa duke iu shqiptuar gjoba atyre që hedhin mbeturina në vende publike. Po ashtu edhe në sektorët tjerë jemi duke inspektuar si në atë të ndërtimtarisë, pronës, sanitarisë dhe ushqimit etj”, tha Ahmeti.

Ai ka njoftuar edhe me asgjësimin e 2220 kg ushqime të konservuara dhe tjera që kanë qenë me afat të skaduar, ndërkaq në bashkëpunim me Agjencionin e Ushqimit të veterinës janë asgjësuar mbi 18 mijë kg ushqime më afat të skaduar.

Ahmeti ka theksuar se në komunën e Vitisë nuk është shënuar ndonjë rast i mishit të dyshimtë, siç ka ndodhur në qendra të tjera, duke potencuar se janë në inspektim të vazhdueshëm duke përcjellë sektorin e mishit nëpër qendra të mëdha tregtare dhe mishtoret që veprojnë në komunën e Vitisë.

KOMENTE