DYLON

Ahmet Ymit, prozatori unik i rrëfimit të krimeve

Ahmet Ymit, prozatori unik i rrëfimit të krimeve
Redaksia

Nga Sali Salihu

Ajo që i dallon autorët bashkëkohorë të letërsisë turke, mbi të gjitha, është kreativiteti artistik, zhdërvjelltësia e narracionit dhe përpjekja e vazhdueshme për t’i ruajtur dhe promovuar vlerat njerëzore.   

EkoHigjiena

Së fundmi, kisha kënaqësinë të isha kurator i dy veprave të një autori shumë të veçantë dhe kultivuesit të një zhanri po kaq të veçantë, Ahmet Ymit (Ahmet Ümit), emrit mbase më të shquar të letërsisë bashkëkohore turke të krimit, romanet e të cilit ndërthurin mjeshtërisht strukturën e rrëfimit policesk me intensitetin emocional të dramës, duke i shndërruar hetimet e vrasjeve në shprushje të kujtesës, historisë, mëkateve, dashurisë, politikës dhe dobësive njerëzore. Jo më kot, veprat e tij janë përkthyer në më shumë se njëzet gjuhë anembanë globit, duke përfshirë edhe përkthimin brilant në gjuhën shqipe përmes Botimeve Efekos.  

Autor me fuqi veçantë narrative

Ajo që e dallon romancierin Ahmet Ymit është se ai rrallëherë përqendrohet vetëm te krimi si një akt të izoluar. Për të, një vrasje është zakonisht vetëm fillimi i një udhëtimi shumë më të gjatë dhe më kompleks. Pas çdo viktime fshihen një sërë marrëdhëniesh, sekretesh, intrigash, plagësh të vjetra dhe konfliktesh të pazgjidhura. Hetimi mund të nisë me pyetjen e rëndomtë: Kush e kreu krimin?, por gradualisht shndërrohet në diçka më komplekse dhe më shqetësuese për vet moralin e një shoqërie: pse njerëzit tradhtojnë njëri-tjetrin, çfarë kërkon e shkuara nga e tashmja dhe deri në çfarë mase mund ta ndryshojë ndenja e fajit jetën e një njeriu? Kjo qasje e shtresëzuar u jep romaneve të tij fuqinë e veçantë narrative.

Ymit e zotëron mirë ndjeshmërinë e lexuesit për tensionin, ankthin, paqartësinë dhe pritjet, prandaj nuk mbështetet lineariteti i rrëfimit dhe ritmi i shpejtë. Ai insiston që tensioni të ndërtohet me kujdes: përmes atmosferës, dialogut, kujtimeve dhe zbulimeve të vonuara. Rrëfimi i tij shpesh ngjan me një shfaqje teatri: personazhet hyjnë në skenë me të vërteta të pjesshme, motivet mbeten të fshehura dhe çdo zbulim i ri mund ta ndryshojë kuptimin e një skene të mëparshme. Kështu, lexuesi nuk ndjekë vetëm gjurmët, por detyrohet vazhdimisht t’i rishikojë gjykimet e veta.

Rrëfime me thellësi emocionale

Prirja e tij ndaj dramës shihet veçanërisht në jetën emocionale të personazheve. Detektivët dhe protagonistët e Ahmet Ymitit nuk janë zgjidhës ‘të ftohtë’ dhe të pagabueshëm enigmash. Ata vuajnë, dyshojnë në vete, gabojnë, sjellin në kujtesë dështime dhe përballen me dilema besnikërie. Hetimet e tyre shpesh ndërthuren me plagë personale dhe psikologjike.

Në romanin “Fisi” (Kavim, origj.), përmes kryepersonazhit, Ymit bën një reflektim fondamental: “Ç’kuptim do të kishte jeta, po të mos u besoja njerëzve që dua, miqve dhe shokëve të mi?” Ngjashëm, te “Porta e Dervishëve” (Bab-ı Esrar) Ymit sjellë një nga ato refleksionet tipike të personazheve të tij: “Të dije, jo gjithmonë ishte gjë e bukur. Të kuptoje, jo gjithmonë të sillte gëzim. Zgjidhja ta ngopte mendjen, por nuk i bënte mirë shpirtit.” Te “Rapsodia e Bejollusë” (Beyoğlu Rapsodisi), autori paraqet transformimin psikologjik të një personazhi (Kenanit) duke na lënë të kuptojmë se sjellja e personazheve buron nga humbjet e tyre dhe se plagët personale bëhen pjesë të mekanizmit të misterit, dhe jo thjesht elemente dekorative të rrëfimit. Konstatime veçanërisht të forta përmes kryepersonazhit, Kryekomisar Nevzatit, i hasim sidomos te “Fantazmat e së shkuarës” (Yırtıcı Kuşlar Zamanı): “Mbase e kisha vrarë babanë e kësaj vajze të re”, Të harrosh nuk shëron, të harrosh vret!”, fragmente të cilat përmbledhin dyshimin në vete, gabueshmërinë dhe barrën traumatike të Nevzatit.

Estetika, stili dhe gjuha artistike e Ahmet Ymitit

Qasja estetike e Ahmet Ymitit mbështetet në ndërthurjen e letërsisë kriminalistike me romanin psikologjik, historik, shoqëror dhe, në disa raste, edhe mistik. Për të, krimi është një portal përmes së cilit mund të shpërfaqet njerëzillëku i një shoqërie të tërë sepse, siç thotë ai, “Roli themelor i letërsisë është të kuptojë shpirtin e njeriut dhe se shkrimtari nuk duhet t’ia imponojë lexuesit ‘të vërtetën’, por ta nxisë atë ta kërkojë vetë.”

Së këndejmi, romanet e tij më shumë përqendrohen te pyetja “Përse u krye krimi?” më shumë se sa te pyetja “Kush e kreu krimin?” Më saktësisht te pyetjet “Çfarë e shtyn njeriun drejt së keqes?” dhe “A është drejtësia ligjore gjithmonë drejtësi morale?” Kjo është arsyeja pse Ahmet Ymit nuk i ndan mekanikisht në të mirë dhe të këqij. Viktima mund të ketë një të kaluar të errët, polici mund të jetë i korruptuar, ndërsa krimineli mund të jetë produkt i traumës, shtypjes ose humbjes.

Gjuha e Ymitit është kryesisht e drejtpërdrejtë dhe e kuptueshme. Ai nuk synon një prozë estetikisht të sofistikuar sepse pjesët hetimore kërkojnë qartësi, ritëm dhe komunikim të shpejtë. Gjuha bëhet më poetike në përshkrimin e ndjesive emocionale, e sidomos në sekuencat kur përshkruan qytetin (Stambollin). Gjithsesi, një tipar i rëndësishëm i romaneve të tij është natyrshmëria me të cilën i bën kapërcimet gjuhësore: nga gjuha profesionale e policisë, te terminologjia historike dhe politike, te ligjërimi filozofik, te të folurit popullor, apo te përshkrimi lirik.

Ajo që e shquan Ymitin është edhe përdorimi i shumtë i figurave stilistike, si: personifikimi, krahasimi, metafora, simboli, anafora, pyetja retorike, hiperbola, epiteti, metonimia, ironia, etj., të cilat, duhet thënë, nuk i shërbejnë vetëm si zbukurime. Te “Fantazmat e së shkuarës” (Yırtıcı Kuşlar Zamanı), për shembull, personifikimi e kthen Stambollin në personazh, metafora e shpendëve demaskon pushtetin grabitqar, ndërsa shiu, hija, drita dhe unaza krijojnë një rrjet simbolik që e lidh hetimin me dramën njerëzore. 

Dhe në fund, stili rrëfyes i Ymitit ka një karakter të dukshëm pamor. Skenat ndërtohen sikur të ishin sekuenca filmi: fillimisht paraqitet një plan i gjerë i qytetit, pastaj rruga, ndërtesa, dhoma dhe, më në fund, një objekt i vogël me rëndësi për hetimin. Ky kalim nga panorama te detaji i ngjan lëvizjes së kamerës. Dialogët e shkurtër dhe prerjet e shpejta ndërmjet veprimit dhe mendimit e forcojnë këtë efekt.

Stambolli dhe bota e tij brendshme si një personazh i gjallë në vete

Stambolli zë një rol qendror në veprat e Ymitit. Në romanet si “Një kujtim për Stambollin” (İstanbul Hatırası), Mjegulla dhe nata (Sis ve Gece), Rapsodia e Bejollusë (Beyoğlu Rapsodisi), Fantazmat e së shkuarës (Yırtıcı Kuşlar Zamanı), qyteti bëhet pothuajse një personazh i gjallë në vete. Monumentet e lashta, rrugët e mbushura me njerëz, lagjet e harruara, kafenetë, pallatet dhe shtresat e historisë bizantine e osmane ndërthuren me misterin. Krimi bëhet një mënyrë për ta lexuar qytetin. Çdo rrugë duket sikur ruan një kujtim dhe çdo monument historik sikur fsheh një histori tjetër nën atë që shihet.

Të bën përshtypje sidomos mënyra se si Ymiti i jep Stambollit kujtesë, emocione, plagë dhe aftësi për të “vepruar”. Te “Një kujtim për Stambollin” (İstanbul Hatırası) ai shprehet: “Ç’të bëjmë, ia dhamë Stambollit gjakun tonë si kujtim”, duke na e shfaqur Stambollin si absorbues të sakrificës njerëzore. Te “Rapsodia e Bejollusë” (Beyoğlu Rapsodisi), Ymit përmes frazës “Një qytet nuk e bëjnë të bukur rrugët, por ndoshta historitë që fshehë” përmbledhë shumë qartë poetikën e tij urbane, duke na thënë se Stambolli ka një botë të brendshme në të cilën ai “fshehë” histori, sekrete, krime, dashuri dhe humbje. “Ky hotel ishte një nga simbolet e Stambollit. Ishte shumë më tepër se një hotel: një institucion kulturor” është fraza me të cilën Ymit i referohet hotelit Pera Palace me aludimin se ky ‘pallat’ ruan gjurmët e njerëzve dhe ngjarjeve që kanë kaluar nëpër të, ajo është dëshmitare historike dhe bartëse e misterit. Po kështu, te “Fantazmat e së shkuarës” (Yırtıcı Kuşlar Zamanı), autori na e paraqet Stambollinsi një qenie të tradhtuar dhe të plaçkitur, por ende rezistente: “Në Stamboll po binte shi […] Mbi këtë qytet të lashtë që, pavarësisht gjithë kësaj tradhtie, gjithë kësaj poshtërsie e gjithë kësaj plaçkitjeje, ende e ruante bukurinë e tij.” Por, frika se ‘pilafi nuk mban më shumë ujë”, shpërfaqë edhe brengën se ky qytet që ka magjepsur ndër shekuj, mund edhe të mos ia dalë mbanë: “Nuk ka në faqe të dheut një qytet që ia del të ruajë bukurinë e vet, pavarësisht barbarisë së njerëzve që jetojnë në të. Por se deri kur do ta mbrojë veten, për këtë nuk jam i sigurt.”

Pra, në veprën e Ahmet Ymitit, Stambolli nuk shërben vetëm si sfond. Ai ruan kujtime, fsheh histori, pëson dhunë, plaket, trishtohet dhe përpiqet të mbrojë bukurinë e vet. Në këtë kuptim, qyteti shndërrohet në dëshmitar, viktimë dhe protagonist të krimit, prandaj çdo plagë e qytetit përjetohet njëkohësisht si plagë njerëzore. Kjo marrëdhënie mes vendit dhe rrëfimit është një nga pikat më të forta të Ymitit. Ai nuk e përdorë historinë vetëm si dekor. E shkuara vepron drejtpërdrejt mbi të tashmen, duke krijuar konflikte prej të cilave personazhet nuk mund të shpëtojnë lehtë.

Përfundim

Ahmet Ymit ka një instinkt të fortë për rrëfimin dhe përshkrimin. Romanet e tij shpesh të krijon ndjesinë sikur dikush është ulur përballë teje dhe po të rrëfen një ngjarje të trishtë, duke u ndalur në momentin e duhur para se të zbulojë hollësinë e radhës. Dialogu mbartë një pjesë të madhe të kësaj dinamike dhe energjie. Bisedat mund të jenë intime, filozofike, e, me raste, edhe me shumë humor, duke i dhënë rrëfimit një ritëm më afër dramës së folur sesa përshkrimit të distancuar letrar.

Mbase pikërisht për këtë arsye, letërsia e tij e krimit i tejkalon kufijtë e zhanrit. Lexuesit mund të afrohen për shkak të krimit, detektivit dhe teknikave të hetimit, por ajo që i mbërthen më pas janë dramat njerëzore që ndërthuren me mjeshtri sepse Ymit e përdorë krimin si një portë hyrëse drejt çështjeve të mëdha që e preokupojnë shoqërinë. Thënë këtë, në romanet e tij, zgjidhja e vrasjes nuk është kurrë fundi i vërtetë i historisë. Misteri më i thellë është të kuptuarit e njerëzve që janë përfshirë në të dhe rrethanat shoqërore që hapin shtigje për veprime në kundërshtim me vlerat morale.

Krejt në fund, pa shpenzuar shumë fjalë për madhështinë e këtij mjeshtri të fjalës artistike, duhet theksuar se rëndësia e Ahmet Ymitit në letërsinë turke është njohur edhe simbolikisht nga hoteli historik Pera Palace. Në janar të vitit 2014, dhoma nr. 410 e hotelit mori zyrtarisht emrin e shkrimtarit Ahmet Ymit. Ajo ndodhet pranë dhomës nr. 411, ngjitur me Agatha Christie. Ymiti u bë kështu, shkrimtari i parë turk ende në jetë, emri i të cilit iu dha një dhomë të Pera Palace. Në dhomë janë vendosur disa libra dhe sende të tij personale. Hoteli edhe sot e kësaj dite ka dhoma që mbajnë emrat e figurave emblematike, si: Ernest Hemingway, Agatha Christie, Pierre Loti dhe Mata Hari. Një vlerësim që gjithkush do ta kishte lakmuar, apo jo?

Ndonëse në moshë të re (vetëm 66 vjeç), Ahmet Ymit ka vendosur që të pensionohet nga veprimtaria letrare dhe artistike, duke e përmbyllur rrugëtimin e tij me veprën e fundit “Pesë ditë në Romë” (Roma’nın Beş Günü), e cila u promovua në një ceremoni madhështore në Stamboll këtë fundjavën, në praninë e qindra figurave të rëndësishme të artit, kulturës dhe letërsisë nga i gjithë globi. Një vendim i pazakontë për një emër kaq të madh dhe në rritje, por që gjithsesi duhet respektuar. E neve, nuk na mbetet shumë për të thënë veçse t’i urojmë shëndet dhe shumë suksese në angazhimet e tij të më pastajme.  /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.